Zbulohet prapaskena e bujshme / Al Hilal donte CR7 për Botërorin e Klubeve, por portugezi tha “jo”

Cristiano Ronaldo ka refuzuar pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm të Klubeve në SHBA, i pari me formatin e ri të vendosur nga FIFA. Në fakt, legjenda portugeze do të merrte pjesë me kënaqësi, por ka hedhur poshtë ofertën e Al Hilal, që i propozoi të luante për ta në këtë kompeticion, duke “tradhtuar” përkohësisht ngjyrat e Al Nassr, skuadrës së tij aktuale.
CR7 madje mund të kishte sfiduar Real Madridin, klubin me të cilin ka shkruar historinë, pasi Al Hilal ndodhet në të njëjtin grup me “Los Blancos”, Pachuca dhe Red Bull Salzburg. Megjithatë, portugezi zgjodhi të qëndrojë besnik ndaj skuadrës ku mban shiritin e kapitenit. Për më tepër, flitet se është pranë rinovimit të kontratës me Al Nassr edhe për një sezon tjetër, pavarësisht zhgënjimit të radhës në Ligën e Kampionëve të Azisë.
Është mohuar gjithashtu mundësia që Cristiano të marrë pjesë në turne me Al Ahly, për të qenë në fushë ndaj rivalit të madh Lionel Messi në ndeshjen hapëse, ku egjiptianët do të përballen me Inter Miami.
Në përfundim, e vetmja mundësi për ta parë Ronaldon në këtë Botëror të Klubeve në SHBA është një ftesë e mundshme për Al Nassr, por kjo mbetet shumë e pamundur.