Numërimi mbrapsht ka nisur. Nga mbrëmja e së dielës, deri në atë të 12 majit, në “Arenën Kombëtare” do të luhen sfidat e “final four” që do të përcaktojnë edhe kampionin e ri të Shqipërisë. Sipas renditjes përfundimtare të sezonit të rregullt, Egnatia, Vllaznia, Dinamo City dhe Partizani janë në garë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në vend. Por finalja e Kupës dhe triumfi I Dinamo City ndaj Egnatias, kampione në fuqi, ka ndryshuar hierarkinë e favoritëve.
Meritë e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, që ka rritur ndjeshëm kuotat e saj për t’u kthyer te titulli kampion pas 15 vitesh pritje. Por më parë, dinamovitët duhet të kalojnë Vllazninë në gjysmëfinalen e së dielës. Edhe shkodranët vijnë në këtë fazë finale të sezonit me urinë e madhe për trofeun e kampionit që iu mungon prej më shumë se dy dekadash.
Pavarësisht humbjes në finalen e Kupës, Egnatia mbetet favorite serioze për të mbrojtur trofeun. Këto parashikime mbështeten te ecuiria në sezonin e rregullt, ku skuadra e Edlir Tetovës ishte më konstantja sidomos në pjesën e dytë të kampionit. Formacioni nga Rrogozhina ka testin e parë në gjysmëfinalen e së hënës kundër Partizanit. Të kuqtë e kryeqytetit siguruan pjesmarrjen në “final four” vetëm në ndeshjen e fundit, por kanë në krahë statistikat në gjashtë përballjet direkte që ka luajtur kundër Egnatias mes kampionatit dhe Kupës.
Gara për titullin, Dinamo rrit kuotat/ Triumfi në Kupë, ngjit skuadrën e Dajës në renditjen e favoritëve
