Jasir Asani besnik me Silvinjon edhe kur trajneri e lë në stol, Zhegrova ëndërron dyshe sulmi me Brojën

Adriatik BALLA
Sulmuesi anësor i Kombëtares, Jasir Asani, i është besnik trajnerit Silvinjo edhe kur tekniku brazilian e lë në stol, madje edhe sikur ta dërgojë në tribuna. Kjo pasi Asani sheh te Silvinjo personin që e ftoi në Kombëtare, duke e marrë nga Korea e Jugut dhe duke e veshur kuqezi, ku ai përjetoi me fanellën e përfaqësueses emocione të papara. “Silvinjo me mori nga Korea dhe me dha mundësinë të veshë fanellën kuqezi, nëse ai ma kërkon jo në stol por në tribuna shkojë, emocionin qe ma ka dhëne debutimi me kombëtaren nuk do ma jepte as fitimi i kupës së botës me një kombëtare tjetër, unë nuk jam mosmirënjohës dhe kurrë nuk do refuzoja të dilja në nxemje, siç shpifet nga disa media”, shprehet Asani. Ai luajti ndaj Anglisë, por u la në stol në përballjen ndaj Andorrës në “Air Albania”. Në media u shkrua se Asani ishte i pakënaqur me vendimin e trajnerit Silvinjo.
Zhegrova: Me Brojën do të kisha bërë një dyshe fantastike
Fjalë të mira për përfaqësuesen kuqezi dhe sulmuesin Armando Broja ka dhënë së fundmi edhe sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova. Ai është i bindur se bashkë me Brojën do të kishin formuar një dyshe fantastike në fushë dhe që do të bënin shumë gola. Për të do të ishte krejt normale që ai të luante për Shqipërisë, asi Kosova e Shqipëria janë një. “Unë dhe Broja, çfarë dyshe do të kishim qenë bashkë. Nëse do të kishte ekzistuar si mundësi, do luaja si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, sepse për mua të dyja janë një”, theksoi Zhegrova. Ndërkohë, Lila të premten njoftoi për mungesën e Zhegrovës dhe Ethan Mbapesë. Për yllin kosovar në konferencë për shtyp foli trajneri i Lilës, Bruno Genesio. “Ne kemi shpresuar ta kemi në skuadër Zhegrovën për të dielën. Qartë se nuk prisnim që ai të ishte gati të luante nga fillimi pasi Edoni është jashtë për më shumë se tre muaj. Por në fund gjendja e tij nuk ishte aq e kënaqshme sa ta përfshijmë në skuadër”, tha Genesio. Zhegrova po e vazhdon rehabilitimin gradual në skuadër, ka vazhduar trajneri i Lilës. Zhegrova i është nënshtruar një ndërhyrjeje, por faza e rikuperimit po zgjat më shumë se që pritej. Më 5 prill, Lila luan në udhëtim ndaj Lionit, në kuadër të xhiros së 28-të. Në atë ndeshje Zhegrova mund të përfshihet në skuadër.
Kulolli shkëlqen me Sionin, dëshiron të luajë për Kosovën
32-vjeçari kosovar, Benjamin Kololli po shkëlqen te Sioni në Superligën e Zvicrës, duke rigjetur formën e tij të dikurshme. Pas rikthimit nga Japonia – së pari te Bazeli e pastaj te Sioni – në futbollin zviceran, Kololli tashmë po shkëlqen, duke shënuar gjashtë gola e dy asistime në 14 ndeshje në elitën e futbollit zviceran. Mirëpo, këto statistika duket se nuk e kanë zgjuar interesimin te Kosova për ta rikthyer në kombëtare. Për këtë ka folur vetë Kololli për “Blick”. “Nuk jam dëgjuar kurrë me të. Kështu që gjithë çfarë unë duhet të bëj te Sioni është ta jap më të mirën dhe automatikisht të bëhem qendër e vëmendjes”, ka thënë Kololli. Benjamin Kololli ka 24 paraqitje me kombëtaren e Kosovës, mirëpo nuk është ftuar te kombëtarja dardane që nga viti 2022. Ndeshja e tij e fundit ishte ndaj Greqisë në Ligën e Kombeve, më 5 qershor 2022.