Adriatik BALLA
Barcelona e Mesit, Ksavit dhe Iniestës konsiderohet si një prej skuadrave më të mëdha të historisë, një makineri perfekte e lojës, me një numër të madh golash dhe fituese trofesh madhorë në Spanjë dhe në Europë. Disa prej këtyre yjeve tani janë tërhequr dhe po shohin problemet familjare e punët e tyre private. Ka dhe prej atyre që po ideojnë karrierë trajningu e një pjesë edhe e kanë nisur punën e trajnerit e madje janë të kërkuar në treg, sikurse po ndodh aktualisht me Ksavi Hernandezin, këtë personalitet të futbollit botëror. Pas një sezoni të vështirë në krye të Barcelonës, Ksavi Hernandez vendosi të tërhiqej për një vit pushimi, pas 2 viteve e gjysmë intensive në pankinën e klubit ku u formua si futbollist dhe trajner. Me përfundimin e këtij viti, emri i tij ka filluar sërish të qarkullojë mes klubeve të mëdha evropiane.
Sipas raporteve, Roma dhe Mançester Junajtid kanë kontaktuar me Ksavin që në fillim të këtij sezoni, duke e parë si një opsion të mundshëm për të pasuar Daniele De Rosin dhe Erik ten Hag, përkatësisht. Megjithatë, që të dy klubet janë njoftuar se Ksavi kishte vendosur të qëndronte larg futbollit për të paktën një vit, pas largimit stresues nga Barcelona. Tani, në teori, Ksavi është sërish i gatshëm për të punuar. Me Ksabi Alonson që pritet të marrë drejtimin e Real Madridit, duket se Bajer Leverkusen ka filluar kërkimin për trajnerin e ri. Ndër emrat e përfolur për pankinën e gjermanëve janë edhe ish-trajneri i Junajtid, Erik ten Hag, dhe tekniku i Real Sociedad, Imanol Alguacil, i cili pritet të largohet nga klubi bask në fund të sezonit. Sipas “Kicker” (cituar nga “Diario AS”), Leverkusen ka shfaqur interes për Ksavin, duke vlerësuar stilin e tij të lojës, përvojën ndërkombëtare dhe njohuritë e mira të gjuhës angleze.
Kontakti me trajnerin katalanas tashmë është bërë, dhe deri më tani nuk ka pasur refuzim nga ana e tij. Një aventurë e Ksavit larg Barcelonës do të ishte padyshim intriguese. Përveç eksperiencës me Al-Sad në Katar, Ksavi ka kaluar gjithë karrierën e tij si lojtar dhe trajner te skuadra e Barcelonës. Një hap drejt një klubi të ri do ta largonte nga presioni i mediave katalanase dhe do ta vendoste në një mjedis ku nuk ka njohuritë dhe lidhjet e njëjta si te Barça. Pavarësisht vështirësive në sezonin e tij të dytë të plotë, Ksavi arriti ta shpallë Barcelonën kampione të La Ligas dhe fitoi edhe Superkupën e Spanjës. Një eksperiencë jashtë Spanjës si trajner mund të ishte dhe prova e vërtetë për të.
Ksavi bëhet gati të veshë tutat e trajnerit, Junajtid dhe Roma klubet e interesuara
