Arkadiusz Milik ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me Juventusin deri më 30 qershor 2027. Lajmi vjen pas spekulimeve të shumta gjatë ditës së martë, të cilat u konfirmuan nga vetë klubi torinez në një deklaratë publike.
Sulmuesi polak, që nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon për shkak të lëndimeve të vazhdueshme, mbetet pjesë e projektit të Juventusit. Në deklaratën e klubit thuhet:“Juventus njofton se ka arritur një marrëveshje me Arkadiusz Milik për zgjatjen e kontratës së lojtarit deri më 30 qershor 2027. Sulmuesi polak, pjesë e skuadrës që nga gushti i vitit 2022, ka realizuar deri tani 17 gola në 75 ndeshje të zhvilluara me fanellën bardhezi.”
Marrëveshja përfshin edhe një ulje të pagës për Milik, duke e reduktuar ndikimin financiar të kontratës në bilancin e klubit. Ai do të përfitojë një total prej 3.5 milionë eurosh në dy sezonet e ardhshme. Ky ristrukturim nuk përjashton mundësinë e një largimi të mundshëm në verë, ndoshta në formë huazimi, për t’i dhënë sulmuesit 31-vjeçar më shumë hapësira dhe vazhdimësi në fushën e lojës.
Milik mbetet i përqendruar tek Juventus për momentin dhe ka shprehur në rrjetet sociale motivimin për t’u rikthyer në formë dhe në fushë.
I lindur në vitin 1994, Milik iu bashkua Juventusit në gusht të vitit 2022 dhe ka qenë nën drejtimin e Massimiliano Allegrit. Ai ka fituar një trofe me bardhezinjtë – Kupën e Italisë në sezonin 2023-2024 – ku u aktivizua për 10 minuta në finalen kundër Interit në stadiumin Olimpico.
Zyrtare/Sulmuesi i njohur rinovon kontratën me Juventusin deri në vitin 2027
