Adriatik BALLA
Fitorja me Andorrën e ktheu disi entuziazmin në kampin kuqezi, sidomos pas asaj humbjeje me Anglinë 2-0 ku përtej rezultatit ishte loja e dobët e grupit që la një shije tepër të hidhur. Gjithsesi, kthimi tek fitorja dhe loja e mirë e grupit bënë që edhe Silvinjo të kishte përshtypje pozitive nga performanca. Mes të shumtëve spikati Rei Manaj që shënoi dy nga tre golat e fitores (3-0), ndërsa Kristjan Asllani kompletoi një ndeshje të mirë. Për Manaj ka vlerësime edhe nga UEFA, golat e të cilit e kanë radhitur mes atyre që duhen vlerësuar, kurse për Kristjan Asllanin ka vlerësime pozitive nga një emër i madh i futbollit në Europë, sikurse është turku Hakan Çalhanoglu. Gjithsesi, kuqezinjtë duhet të tregojnë vlerat e tyre më shumë në dy takimet me rivalët direkt për vendin e dytë, që janë Serbia dhe Letonia, dy skuadra të forta.
Çalhanoglu elozhe për Asllanin
Mesfushori turk Hakan Çalhanoglu ka dhënë një intervistë për mediat italiane duke komentuar zhvillimet tek Interi dhe ambicien e skuadrës për të qenë kompetitive në të gjitha kompeticionet. Në këtë intervistë ai u pyet edhe për mesfushorin e përfaqësueses së Shqipërisë, Kristjan Asllanin, për të cilin foli fjalët më të mira, duke shtuar se lojtarë si ai kanë bërë mirë dhe meritojnë më shumë. Ky qëndrim erdhi një ditë pasi Asllani kishte lavdëruar punën e Çalhanoglu dhe se ai e kishte ndihmuar shqiptarin të bëhej lojtar më i mirë në fushë. “E falënderoj për atë që ka thënë. Ne jemi gjithmonë aty për ta ndihmuar. Lojtarët që kanë pak më shumë eksperiencë, janë duke ndihmuar ata më të rinjtë. Kristjan është një talent i jashtëzakonshëm. Ka kualitet për të luajtur për Interin. Sigurisht që nuk është e lehtë për të, por jemi duke e ndihmuar. Mendoj se ai meriton më shumë. Kur ka pasur hapësira e ka bërë punën e tij ashtu siç duhet. Duhet thjesht që të vazhdojë kështu. Sigurisht që ne lojtarët do të provojmë dhe duam ta përfaqësojmë Interin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi përgjegjësi të mëdha dhe e dimë këtë. Por jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu. Pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.
Rei Manaj në garë për çmimin “Lojtari më i mirë i raundit të dytë”
Shqipëria fitoi 3-0 me Andorrën dhe më shumë se rezultati u pa pozitive performanca e grupit të lojtarëve që trajneri Silvinjo hodhi në fushën e lojës. E në fakt, Rei Manaj ishte protagonisti kryesor në fitoren e Shqipërisë ndaj Andorrës në “Arenën Kombëtare”. Sulmuesi kuqezi shënoi dy gola të bukur që në pjesën e parë të takimit dhe është përzgjedhur nga UEFA si një nga kandidatët e mundshëm për të fituar çmimin e Lojtarit të Raundit të Dytë të kualifikuesve, të vlefshme për Kupën e Botës. Së bashku me Rei Manajn në garë për këtë çmim të veçantë janë edhe Karol Sviderski i Polonisë, Martin Odegard i Norvegjisë dhe Haris Hajradinoviç i Bosnje-Hercegovinës. Votimi është hapur në faqen e UEFA-s dhe të gjithë tifozët mund të votojnë në këtë link. Procesi i votimit do të jetë i hapur deri ditën e nesërme në orën 15:00 dhe më pas UEFA do të shpallë lojtarin më të mirë të raundit të dytë.
Çalhanoglu elozhe për Kristjan Asllanin, Rei Manaj në garë për çmimin “Lojtari më i mirë i raundit të dytë”
