Saliba ëndërron Champions-in: Çdo gjë po shkon mirë, mungojnë vetëm trofetë

29 Prill 2025

8:36

Alfred Lleshi

William Saliba ka ëndrra të mëdha. Edhe pse Arsenali ka dështuar përsëri në fitimin e Premier League, tani mund të ngushëllohet me ëndrrën europiane, duke nisur aktin e parë të gjysmëfinaleve të Champions League kundër PSG-së.
Mbrojtësi i Arsenalit, në një intervistë për kanalet zyrtare të UEFA-s, nënvizoi: “Jam rritur duke parë video të Henry. Kam parë më shumë video sesa ndeshje të plota, sepse nuk kishim kanale që transmetonin Premier League.
Ndonjëherë kam pasur fatin ta shoh Arsenalin duke luajtur në Champions League. Aty filloi gjithçka dhe aty nisa të ndjej simpati për këtë klub. Të luaja për Arsenalin ishte diçka që as nuk e kisha menduar, por ndonjëherë fati është i tillë”.
Me mbi 120 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, mbrojtësi francez ka regjistruar edhe 19 paraqitje në Champions League: “Kam punuar shumë, kam kaluar periudha mjaft të vështira, por sot jam shumë i lumtur. E shijoj çdo ndeshje dhe e dua këtë klub”.
Kapitulli i ardhshëm në këtë histori që mund të ketë një fund të lumtur mund të jetë pikërisht trofeu i parë i Champions-it për Arsenalin: “Çdo gjë po shkon mirë, por mungojnë vetëm trofetë. Janë trofetë, ato që të bëjnë të paharrueshëm edhe pas 20 vitesh”.