Arteta nuk e fsheh entuziasmin: Duam më shumë se kaq, ta fitojmë Ligën e Kampionëve

Mikel Arteta ka mundësinë të bëjë atë që Arsene Wenger nuk e arriti në stolin e Arsenalit. Të martën në mbrëmje, “topçinjtë” do të presin PSG për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, teksa trajneri i ekipit anglez ka deklaruar në konferencën për shtyp: “Një mundësi e pabesueshme, jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur”.
Më pas, ai u ndal te disa informacione specifike lidhur me formën e disa lojtarëve: “E dimë situatën e Mikel (Merino) dhe Ben (White), fatkeqësisht humbëm Thomas (Partey). Ben dhe Mikel kanë mundur të stërviten, do të shohim nëse do të jenë në gjendje ta nisin titullarë. Calafiori nuk ka mundur të stërvitet”.
Mundësia është e jashtëzakonshme, pasi në dy ndeshje, Arsenali luan për finalen. Dhe entuziazmi është i madh: “Po, e ndjen kudo entuziazmin në klubin tonë, është diçka unike. Jemi plot energji dhe entuziazëm, mezi presim të luajmë. Është një histori e bukur, por duam më shumë”.
A ka mundësi që kjo të jetë nata më e mirë e tij në karrierë: “Po, besoj se po, që nga momenti që kam përjetuar gjithçka, edhe si lojtar. Shpresojmë që të jetë edhe më mirë. Arsenali favorit? Nëse e shohim nga historia, do të thoja jo, sepse asnjëherë nuk e kemi fituar dot Champions League”.
Një koment i fundit mbi Rice, investimi më i madh i klubit, mbi 100 milionë euro: “Shpresojmë që, duke fituar shumë trofe bashkë, të mund ta justifikojmë këtë shifër. Besoj se ka bërë disa hapa përpara”.