Sezoni i basketbollit 2024-2025 pothuajse është mbyllur, ku pritet të shpallet kampioni i Shqipërisë për Meshkuj të Rritur. Po bëhen, gjithashtu, analiza për ecurinë e klubeve dhe pritshmëritë e tyre për sezonin e ardhshëm. Kamza është shndërruar vitet e fundit në një nga pikat e rëndësishme të zhvillimit të sportit në nivel kombëtar, duke marrë pjesë me disa ekipe në elitë dhe me një numër të madh disiplinash që kanë prezencë të konsiderueshme të rinjsh e të rejash, e ku klubi i Kamzës ka fituar edhe trofe të rëndësishëm si në nivel individësh ashtu dhe ekipor.
Një nga sukseset e rëndësishme të Kamzës në sport ishte titulli kampioni Shqipërisë në basketboll për moshën deri në 20 vjeç. Gazeta “SOT” intervistoi trajnerin e basketbollit të Kamzës, Glen Prodani, i cili përshkroi si mjaft pozitiv sezonin në superligë, kategorinë U20 dhe përmbysjet spektakolare që kjo skuadër bëri në kampionat e sidomos në fazën përfundimtare “Final Four”. Për Prodanin, trofeu i titullit për Kamzën U20 dëshmon se sukseset në të ardhmen te ky klub do të vijnë nga të rinjtë, rezultatet e të cilëve janë në rritje.
– Kamza U-20 regjistroi një sukses të rëndësishëm këtë sezon, duke fituar titullin për këtë grupmoshë. Si trajner i Kamzës, si do ta përshkruanit këtë sukses të skuadrës?
– Po, ky ishte një sukses i rëndësishëm i basketbollit në Kamëz. Kujtoj që ky kampionat quhej Liga Sigal U20, në të cilin merrnin pjesë gjashtë ekipet e kësaj moshe si:Teuta, Vllaznia, Partizani, Goga, Elbasani dhe, siç thamë, Kamza. Skuadra jonë e U20 e mbylli në vend të dytë renditjen në kampionatin e rregullt, por arritëm të fitonim duelet në “play-off”, gjë që na dha titullin kampion. Në gjysmëfinale të fazës “Final Four”, ne mundëm Partizanin në një duel mjaft të rivalizuar. Ata shkuan deri në 12 pikë avantazh, por ne mundëm të barazonimn e në fund ta përmbysnim ndeshjen, duke fituar e duke kaluar direkt në finale. Gjysmëfinalen tjetër përballë Vllaznisë e fitoi Teuta, me 6 pikë diferencë. Ndaj Kamza U20 u përball në finale me Teutën U20. Ishte një ndeshje e kontrolluar nga skuadra jonë prej fillimit e deri në fund, takim që u fitua prej nesh me rezultatin 87-77.
– Cili është kontigjenti i Kamza U20? Sa janë të ingranuar ata në ekip të parë?
– Kamza U20 është skuadër me të ardhme, pasi ka një grup mjaft cilësor për moshën. Spikat mes të tjerave Ajet Cahani, lojtar i talentuar që luan me Kombëtaren e kësaj moshe, në pozicionin 3-4 i cili u shpall edhe MVP i këtij kampionati. Ne e shohim si lojtar me të ardhme tek Kamza e basketbollit. Por nuk duhet të lëmë mënjanë vlerën e grupit në tërësi, pasi i gjithë grupi është cilësor. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm në një skuadër, ndaj më duhet t’i përmend të spikaturit, si Erti Kongjoni, Fabio Paloka, Klevis Mardhoci, Eldi Rrahmani dhe Ergys Cahani.
– A janë këta lojtarë të angazhuar edhe në ekipin e parë të Kamzës në Superligën e meshkujve?
– Po, Kamza U20 stërvitet me ekipin e parë dhe këtë e kemi parë si avantazh të skuadrës në garën e saj sezonale në superligën e kësaj moshe. Duke u stërvitur me ekipin e parë këta lojtarë kanë mundur të marrin ngarkesë fizike e tekniko-taktike më të madhe ndaj dhe suksesi nuk është rastësor. Këtë e treguan edhe ndeshjet që zhvilluam në fazën “Final Four”, takime të luajtura të gjitha në pallatin e sportit të Durrësit, “Ramazan Njala”.
– Cili ishte niveli i skuadrave në këtë kampionat, në tërësi?
– Të gjitha ekipet ishin me nivel pothuaj të njëjtë kompetitiv. Diferencën e bënë detajet që erdhën nga përgatitja më e madhe e skuadrës tonë. Në fakt, në fillim ne humbëm shumë ndeshje, por rikuperuam hap pas hapi e në fund bëmë diferencë, duke merituar trofeun. Nuk duhet të harrojmë që ky kontigjent do të jetë baza për Kamzën e ardhshme të basketbollit, pra bazë për ekipin e të rriturve.
– Sa prej këtij kontigjenti luajnë me ekipin kombëtar të moshës U20?
– Janë tre lojtarë të angazhuar në Kombëtaren e kësaj moshe. Bëhet fjalë për A.Cahanin, Merdhocin dhe Palokën. Por në Kamzë ka dhe elementë të moshave më të vogla që kanë cilësi dhe do të angazhohen hap pas hapi në përfaqësueset e moshave.
– A mund të sqaroni pozicionin tuaj në pankinën e të dy ekipeve të basketbollit të Kamzës?
– Unë jam trajner i skuadrës së basketbollit të të rriturve që luajtën në Superligë, por jam edhe trajner i skuadrës Kamza U20. Në këtë të fundit bashkëtrajner me mua është kapiteni i ekipit të të rriturve të Kamzës, Niko Thano, një rast i veçantë pasi është edhe lojtar edhe trajner.
– Kush ishin vlerësimet që morët nga federata për këtë ligë U20, që rikthehet pas 3 viteve mungesë?
– Pas rënies së bilbilit të fundit, kur rezultati ndau fituesin, Presidenti i federatës, siç e do tradita, bashkë me titullarë të tjerë të kësaj zyre, japin medaljet, kupën dhe në rastin tonë kishim dhe një trofe më shumë, atë të lojtarit më të mire. Ajo që u vu re ishte angazhimi i lartë i presidentit për t’i uruar një për një pjestarët e ekipit, dhe indiferenca e sekretarit të kësaj federate, duke kapur një qoshe të sallës. Një sjellje aspak etike, por që i dha një përgjigje të qartë me sjelljen e tij, qëllimit të marrjes së vendimeve të mëparshme, të pamenduara mirë dhe pa arsyetime, tipike të një njeriu me formim të kufizuar zyrtar dhe social.
– Çfarë ishte pikante për sezonin 2024-2025?
– Ky sezon së bashku me dinamikat e tij, na ka dhënë leksione sportive dhe leksione jete. Na ka mësuar se si të fokusohemi tek prioritetet tona dhe si t’i ndjekim ato që të arrijnë suksesin. Na ka forcuar punën në ekip, pasi vit pas viti Kamza mban në gjirin e saj lojtarë, trajnerë, ish-lojtarë, të cilët i aktivizon në aktivitete të ndryshme duke evidentuar pikat e tyre të forta dhe se ku mund të japin kontribute më shumë. Na ka mësuar të jemi mirënjohës dhe ta shprehim atë ndaj mbështetësve financiarë dhe atyre moralë. Na ka rritur, duke i shtuar CV personale dhe të akademisë tituj dhe kapituj të lexuar me vëmendje. Dua të ndalem në veçanti, për të falenderuar dhe Artesa Ndoj, që iu bashkua ekipit tonë U20 dhe atij të rritur, si e vetmja femër në ekipet e Superligës Meshkuj e ulur në stol. Një falenderim edhe për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, që na ka besuar dhe ka mbështetur sportin në këtë bashki e në veçanti basketbollin.
Intervistoi: Adriatik BALLA
