Roli i portierit ka qenë gjithmonë shumë delikat në futboll. Sidomos tani, kur portieri është i përfshirë më shumë në ndërtimin e aksioneve. Kjo e ashtuquajtur “nisje nga poshtë” ka marrë vëmendje të madhe nga trajnerët, për këtë ndryshim stili loje ka folur edhe ai që e njeh shumë mirë këtë pozicion, Dino Zoff.
Kampioni i botës i vitit 1982 ka komentuar se si do të kishte vepruar nëse do të duhej të përdorte më shumë këmbët, ndërsa qëndronte në portë: “Besoj se do të isha adaptuar mirë, sepse këmbët e mia nuk ishin të këqija për një portier. Pastaj mendoj që, kur një rregull ndryshon, gjithmonë gjen mënyrën për t’u përshtatur me realitetin e ri.
Problemi, ndoshta, është ndryshe. Nuk duhet ta detyrosh portierin të prekë më shumë topa se një sulmues. Fjalën e kam për ndërtimin e lojës nga poshtë. Portieri ka një ngarkesë të madhe përgjegjësish për golat që duhet të parandalojë. Në këtë mënyrë, ai detyrohet të marrë rreziqe të tjera përsipër, që i shtojnë presionin dhe ndoshta e rëndojnë”.
Në fund, Zoff ka komentuar edhe kampionatin italian, posaçërisht garën për titull, e cila tani ka një lider të ri, Napolin: “Interi është në rënie, ndërsa Napolin tashmë e shoh në formë të shkëlqyer. Sidoqoftë, do të jetë një garë dyshe mes tyre deri në fund”.
Zoff: Tani portieri prek më shumë topa me këmbë se sulmuesit? Kjo është e tepërt…
