Interi i beson Simone Inzaghit, rinovohet kontrata deri në 2027

Humbjet ndaj Bolognas në Serie A dhe Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë nuk e kanë zbehur rëndësinë e Simone Inzaghit te Interi. Pavarësisht eliminimit nga Kupa dhe dështimit për të fituar tre trofe këtë sezon, klubi zikaltër i ka dhënë mbështetje të plotë trajnerit.
Sipas mediave italiane, Interi dhe Simone Inzaghi kanë rënë dakord për rinovimin e kontratës edhe për një vit, duke e zgjatur atë deri në verën e 2026-ës. “Timoni” i skuadrës do të mbetet në duart e Inzaghit, i cili do të ketë detyrën të luftojë deri në fund për titullin në Serie A, ku Interi kryeson së bashku me Napolin me nga 71 pikë.
Në Champions League, zikaltërit kanë një sfidë të vështirë përpara, një përballje dyshe në gjysmëfinale kundër Barcelonës. Me dy tituj ende në lojë dhe fundin e sezonit në prag, Interi dhe Inzaghi duhet të japin maksimumin në sprintin final.
Edhe nëse nuk fitohen trofe këtë sezon, klubi është gati të rrisë pagën e trajnerit në 7 milionë euro në vit dhe t’i ofrojë një kontratë të re deri në vitin 2027, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër sezon.