Adriatik BALLA
Portugalia do të kërkojë një trajner të madh në krye të saj për sfidat që e presin përfaqësuesen e këtij vendi dhe emri që lakohet në shtyp si më i mundshmi është padyshim Hoze Murinjo. Në të vërtetë “Special One” asnjëherë nuk e ka kërkuar me të madhe këtë post, edhe pse nuk e ka përjashtuar si mundësi, duke thënë madje se e ndjente detyrim, por gjërat janë pjekur më në fund që Murinjo ta ndërmarrë këtë hap.
Lajmin në fillim e dhanë mediat portugeze, por e përforcuan gjatë ditës së djeshme mediat sportive turke, që merakoseshin se Fenerbahçe do të mbetet pa trajner në verë dhe do t’i duhet të hyjë në treg për të gjetur pasuesin e Murinjos. Po si qëndron e vërtet? “Trajneri i njohur, Hoze Murinjo, është rikthyer në qendër të vëmendjes së futbollit ndërkombëtar.
Trajneri i Fenerbahçes, i cili po kalon një periudhë intensive në Turqi, është lidhur së fundmi me mundësinë për të marrë drejtimin e Kombëtares së Portugalisë. Federata Portugeze e Futbollit raportohet se po e shqyrton seriozisht emërimin e tij në prag të Kupës së Botës 2026 – një lëvizje që do të kishte ndikim të madh për vendin dhe për të ardhmen e kombëtares. Trajneri portugez e ka shprehur gjithmonë dëshirën për të drejtuar përfaqësuesen, një objektiv që ende nuk e ka arritur në karrierën e tij të shkëlqyer. Megjithëse aktualisht është i përqendruar te detyrat me ekipin turk, interesimi nga vendlindja e tij mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve”, shkruajnë mediat. Murinjo është një figurë që gëzon respekt dhe admirim nga lojtarët, dhe mbërritja e tij në stolin e Portugalisë mund të jetë nxitësi ideal për një cikël të ri ambicioz. Federata Portugeze e Futbollit po shqyrton të gjitha skenarët e mundshëm për të ardhmen e afërt.
Me një brez të talentuar dhe lojtarë të konsoliduar në ligat më të forta europiane, kombëtares i duhet një lider me përvojë, karakter dhe një histori fitimtarësh. Profili i Murinjos përputhet në mënyrë të përsosur me këtë përshkrim, dhe aftësia e tij për të nxjerrë më të mirën nga skuadrat nën presion e bën atë një kandidat të vështirë për t’u anashkaluar. Nga Turqia, Fenerbahçe po ndjek me vëmendje zhvillimet.
Edhe pse klubi ka dhënë mbështetje të madhe për trajnerin nga Setubali, sfida për të udhëhequr vendin e tij në një Kupë Bote mund të peshojë më shumë sesa çdo kontratë. Në Lisbonë besojnë se momenti për të pasur trajnerin më të njohur në historinë e tyre mund të jetë më afër se kurrë.
Murinjo kandidat serioz për të marrë drejtimin e kombëtares portugeze, Fenerbahçe nuk e lë të lirë
