23 Prill 2025
9:13
Telesport
Vinicius Junior është një hap larg rinovimit të kontratës me Real Madrid. Pavarësisht momentit të vështirë, që kulmoi me eliminimin në çerekfinalet e Champions League, “los blancos” po mendojnë për të ardhmen.
Braziliani është afër nënshkrimit të një zgjatjeje të marrëveshjes së tij aktuale, e cila skadon më 30 qershor 2027, edhe për tre vjet të tjera, deri në 2030-n. Sipas “Cadena Ser”, klubi ka besim total te sulmuesi, kështu që marrëveshja mund të zyrtarizohet në javët në vijim.
Ka harmoni mes palëve dhe Real Madrid absolutisht nuk dëshiron ta humbasë lojtarin. Ditët e fundit ka pasur disa kontakte me menaxherin e lojtarit. Synimi është që të arrihet një marrëveshje para përfundimit të sezonit. Dëshira për të vazhduar së bashku është e dyanshme.
Edhe pse nuk mungojnë skuadrat e interesuara, për momentin situata është mjaft e qartë: Vinicius është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të re me “merengues”. Një transferim në Arabinë Saudite, siç ishte hipotezuar javët e fundit, nuk ka gjasa të ndodhë.
Asnjë ofertë e madhe nuk do ta lëkundë Real Madrid, i cili ka çdo synim për të siguruar një nga pjesët më të vlefshme të skuadrës.
