I dyshuari për vrasjen në Kaçanik promovonte ekstremizëm fetar në rrjete sociale

Rilind Murati, një nga shtatë personat e arrestuar të martën, i dyshuar për përfshirje në planifikimin dhe ekzekutimin e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, në Kaçanik, rezulton të ketë përhapur përmbajtje ekstremiste dhe thirrje kundër sistemit demokratik në rrjetet sociale.Sipas Prokurorisë, Rilind Murati, i lindur në vitin 2003, e kishte pritur të miturin Rejhan Bela në katin e dytë të një ndërtese, nga ku dyshohet se ky i fundit kishte qëlluar për vdekje rreshterin Lika më 1 prill.Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm. Pas sulmit, Murati e kishte përgëzuar të miturin duke i thënë: “Bravo, ik”, dhe më pas të dy ishin larguar nga vendi i ngjarjes.Nga kërkimet rezulton se Murati kishte një profil aktiv në Facebook, ku shpërndante materiale me përmbajtje radikale dhe kundër institucioneve demokratike.Në një video të publikuar më 6 mars, thuhej:“Ata kundërshtojnë sunetin. Ata thërrasin në votime. Ata marrin pjesë në portale anti-islame… Ata e lejojnë demokracinë. Ata janë këpucë lëpirës të tagutit…”Po ashtu, më 23 shkurt, Murati kishte shpërndarë një tjetër video ku shiheshin persona duke thyer instrumente muzikore, e cila shoqërohej me komentin:“Muzika e forcon sihrin dhe xhint (në trupin tuaj).”Policia ka konfirmuar se operacioni i arrestimeve është zhvilluar në bashkëpunim me institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka për qëllim zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrjetit të përfshirë në këtë akt kriminal.Gjashtë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku pritet të mbahet seanca.Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë zyrtare për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, ngjarje e ndodhur më 1 prill në Kaçanik.Të dyshuarit janë: Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, ndaj të cilëve pritet të nisë seanca në orën 13:00./Insajderi