“Tërhiq e mos e këput”…., takim i ri mes Furlanit dhe Tares për drejtorin sportiv të Milanit

Në këto ditë të Pashkëve, siç shkruan sot “Gazzetta dello Sport”, Milani dhe Igli Tare kanë pasur kontakte të reja telefonike. Sipas të përditshmes prestigjioze sportive italiane, së shpejti pritet të zhvillohet një takim i dytë mes palëve pas atij të javës së kaluar në Romë, ku administratori i deleguar i kuqezinjve, Giorgio Furlani, ishte takuar me ish-drejtorin sportiv të Lazios.
Në takimin e parë, me karakter njohës, është folur për programet, idetë dhe filozofinë e punës në grup. Takimi ka zgjatur rreth 4 orë dhe, sipas raportimit, është prekur gjithashtu edhe çështja e pankinës kuqezi për sezonin e ardhshëm, megjithëse pa hyrë në detaje të thella.
Synimi i Milanit është ta mbyllë çështjen e emërimit të drejtorit të ri sportiv brenda dy javëve të para të majit, ndaj takimi i ardhshëm me Taren pritet të jetë vendimtar: ose do të ndodhë një përshëndetje miqësore, ose një shtrëngim duarsh për të zyrtarizuar bashkëpunimin.
Në javët e fundit, vetë Furlani ka folur për televizionet mbi këtë çështje, duke bërë të qartë kriteret që do të udhëheqin zgjedhjen e njeriut të ri që do t’i bashkohet strukturës kuqezi: “Para disa ditësh e kam komentuar këtë temë, duke thënë se ende nuk ishte marrë asnjë vendim.
Edhe sot jemi në një pikë të ngjashme, nuk ka asnjë risi, asnjë zgjedhje. Jemi të përqendruar në gjetjen e dikujt që do të sjellë gjëra të mira për Milanin, duam personin e duhur në rolin e duhur. Identikiti? Dikush që të na bëjë të fitojmë”.