Milani, ky derbi vlen një sezon të tërë. Europa e kuqezinjve tani kalon nga… Kupa e Italisë

Ky është ndoshta një nga sezonet më të vështira për Milanin në vitet e fundit, me kuqezinjtë që rrezikojnë të kalojnë nga Liga e Kampionëve në… asgjë brenda pak muajsh. Në një kampionat katastrofik nën drejtimin e Fonseca dhe një Conceição që nuk ka arritur ta ndryshojë fatin e “Djallit”, shpresa e fundit, 5 javë para fundit të kampionatit, mbetet Kupa e Italisë, me gjysmëfinalen e kthimit kundër Interit që mund të vlejë një sezon të tërë. Sepse nga Champions-i në asnjë garë europiane do të ishte dështim i plotë, ndërsa nga asgjë në “Europa League” do të ishte të paktën ngushëllim, sado i zbehtë qoftë.
Humbja në shtëpi ndaj Atalantës konfirmoi vështirësitë e Milanit, që nuk arrin të jetë cinik për të shfrytëzuar rastet dhe mbi të gjitha nuk gjen ekuilibrin, duke pësuar gol që në rastin e parë të vërtetë të kundërshtarëve. Një skenar që tifozët kuqezinj e kanë përjetuar shumë shpesh këtë sezon. Skenar me një fund që përsëritet, humbje pas humbjeje. Dhe kjo nuk bën gjë tjetër veçse ndez zemërimin e “San Siros”, që nuk mund të bëjë tjetër veçse të kundërshtojë drejtuesit.
Një tifozëri e lodhur dhe e zhgënjyer nga ky sezon i vështirë, që pa Kupat e Europës do të bëhej vërtet i tmerrshëm, edhe pse në vitrinë është vendosur Superkupa e Italisë. Dështimi për të siguruar një vend në Europë, duke e mbyllur sezonin me renditjen më të dobët të 10 viteve të fundit (vendi i 10-të në sezonin 2014-2015 ishte tashmë më i keqi që nga 1997-1998), do të ishte edhe më shumë tallje pas sezoneve të fundit të suksesshme.
Që ndeshja kundër Atalantës do të ishte e vështirë nuk ishte sekret, por pritej një përgjigje “dhëmbë për dhëmbë” e kuqezinjve. Një përgjigje që mungoi dhe që, në prag të kthimit gjysmëfinal të Kupës së Italisë kundër Interit, ngjall shqetësim. Në “San Siro”, gjysmëfinalja e kthimit nis nga rezultati 1-1 i ndeshjes së parë, me golat e Abraham dhe Calhanoglu, por kësaj here Interi do të ketë përkrahjen e tifozëve të vet, duke qenë se luan si rpitës.
Një ndeshje që vlen dyfish, në mos trefish: sepse të fitosh një derbi ka gjithmonë shije të veçantë, por ta bësh duke siguruar një finale që mund të hapë dyert e Europës… ka edhe më shumë kuptim. Sidomos nëse, duke mposhtur Inzaghin dhe djemtë e tij, “Djalli” do të kishte rastin të shkatërronte ëndrrën e tripletës sezonale për Interin. Me “nëse” dhe “por” nuk shkohet askund, gjithsesi, këtë e dinë mire në shtëpinë kuqezi.
Ndaj Conceição ka vetëm dy ditë kohë për të mbledhur copëzat dhe motivuar skuadrën e tij, sepse derbi mund të vlejë një sezon të tërë. Një “tren” i fundit për të shpresuar ende te Europa, qoftë edhe ajo e “nivelit të dytë” si “Europa League”, por që gjithsesi do ta bënte më pak të hidhur këtë sezon. Dhe pastaj do të kishte edhe një kushtrim të fundit… në Romë, por për këtë do të flitet vetëm nëse do të jetë e nevojshme.