Mesfushori belg i Manchester City, Kevin De Bruyne, njoftoi në fillim të prillit se do të largohet nga klubi me të cilin ka fituar titull pas tituli: 16 trofe në total që nga momenti që u transferua nga Wolfsburg, në vitin 2015.
Një vendim që erdhi pak muaj para përfundimit të kontratës së tij me “citizens”, në fund të qershorit. Siç raportohet nga BBC, belgu shprehu habinë e tij që nuk kishte marrë asnjë përpjekje nga klubi për ta bërë atë të ndryshojë mendje.
“Unë nuk kam marrë asnjë ofertë gjatë gjithë vitit. Ata thjesht morën një vendim që unë të largohesha vetë. Natyrisht që u befasova pak, por duhet ta pranoj këtë dëshirë që kishte klubi”, tha De Bruyne.
Më tej, belgu deklaroi: “Sinqerisht, unë ende mendoj se mund të jap maksimumin në këtë nivel, siç dhe po demonstroj aktualisht. Gjithsesi, nga ana tjetër, e kuptoj që klubet duhet të marrin vendime”.
“Ndjehem sikur kam ende shumë për të dhënë. Natyrisht e di që nuk jam më 25 vjeç, por ende ndjej se mund ta bëj punën time. Jam i hapur për gjithçka”, u shpreh Kevin De Bruyne, që fitoi gjithcka me Manchester City.
“Më duhet të shikoj situatën në një këndvështrim më të gjerë. Shikoj sportin, familjen, gjithçka së bashku, çfarë ka më shumë kuptim për mua dhe familjen time”, shtoi De Bruyne.
Në fund, mesfushori belg shtoi: “Më pëlqen të luaj futboll. Më pëlqen të konkurroj. Kjo është ajo që ndiej, kështu që nuk mund të them se dua të ndalem sepse ende ndjej se sa herë që stërvitem dua të mposht djemtë”.
De Bruyne: Manchester City nuk bëri asnjë përpjekje për të më mbajtur, mendoj se kam ende për të dhënë
