Lewandowski: Dua të luaj në elitë deri 40 vjeç dhe të fitoj Champions-in me Barcelonën

Barcelona nuk ka marrë lajme të mira nga rezultatet e rezonancës magnetike për Robert Lewandowskin, pas shqetësimit muskulor që e detyroi sulmuesin polak të kërkonte zëvendësimin në fitoren e vuajtur kundër Celta Vigos. Dëmtimi në muskujt semitendinozë të kofshës së majtë nuk do t’i lejojë atij të luajë as kundër Real Madridit në Kupën e Mbretit, as në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit.
Por para se të dëmtohej, në moshën 36-vjeçare, Lewandowski nuk tregonte asnjë shenjë lodhjeje. Në një intervistë për BILD, të publikuar dje në Gjermani, ai tha: “Fizikisht ndihem ende si më parë. Edhe kur i shikoj të dhënat fizike pas ndeshjeve, vazhdoj të jem i kënaqur”. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, duke parë shifrat e tij: 99 gola në 142 ndeshje me fanellën e Barcelonës që nga viti 2022.
Lewandowski vinte nga një paraqitje fantastike kundër Borussia Dortmundit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, me dy gola në ndeshjen e parë (4-0), dhe një sfidë më e vështirë në kthim, në Gjermani, që megjithatë nuk i pengoi katalanasit të kualifikoheshin: “Ishte një përvojë e rëndësishme. E kuptuam se duhet të japësh 100% në të dyja ndeshjet, por natyrisht duam ta fitojmë Champions-in”.
Dhe për sa kohë do ta shohim Lewandowskin golashënues me Barcelonën? Ja si përgigjet vetë bomberi polak: “Ndoshta deri në moshën 40-vjeçare, ashtu si Cristiano Ronaldo. Fizikisht do të ishte e mundur, por ka shumë faktorë të jashtëm që ndikojnë. Derisa të kem dëshirë, do të jap gjithmonë 100%”.