Nga duelet e baballarëve, dopingu dhe goditja me vezë, Eubank e Benn kanë inate personale për të sqaruar

18 Prill 2025

11:49

Telesport

Në stadiumin e Tottenham, në Londër, më 26 prill do të zhvillohet dueli i peshës së mesme mes boksierëve britanik Chris Eubank Jr dhe Conor Benn. Një përballje mjaft interesante, pasi boksierët kanë inate të vjetra mes tyre.
Jo vetëm për faktin se sfida duhej të ishte zhvilluar në tetor të 2022 (Benn doli pozitiv dhe dueli u anullua), por edhe se baballarët e tyre kanë qenë rivalë dikur në ring. Pra, në mes janë interesa familjarë.
Asokohe, Chris Eubank Sr. ka fituar një herë ndaj Nigel Benn dhe ka barazuar sfidën e dytë mes tyre, duele të zhvilluara mbi 30 vite më parë. Dhe tani është radha e djemve të tyre të përballen në ring.
Dueli mes dy boksierëve është emërtuar si “Fatal Fury”. Chris Eubank Jr numëron 34 fitore e 3 humbje në karrierën e tij, ndërsa Conor Benn është i pamposhtur deri më tani (23 fitore e asnjë humbje).
Në daljet e mëparshme publike, Eubank, kampion bote në peshën e mesme (kategoria IBO) goditi me vezë në fytyrë Benn dhe për këtë gjest u gjobit me 100 mijë dollarë (po negocion për ta hequr këtë gjobë).