Adriatik BALLA
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i cili eliminoi mbrëmjen e dy ditëve më parë Realin e Madridit nga Champions League, është për momentin tekniku më i përfolur në futbollin evropian. Suksesin e tij askush s’e priste. “Gunners” i fituan të dyja ndeshjet çerekfinale me “Los Blancos”, fillimisht 3:0 në “Emirates Stadium” dhe mbrëmë 2:1 në “Santiago Bernabeu” për ta prerë biletën për në gjysmëfinale. Por Arteta kreditet për këtë arritjen e këtij niveli ia kalon mentorit të tij të dikurshëm, Pep Guardiola, nga i cili ka mësuar shumë. Në fakt, vite më parë Arteta ishte ndihmës i Guardiolës në Mançester Siti dhe prej aty nisi gjithçka në një karrierë që mund të jetë shumë e suksesshme si trajner për ish-futbollistin spanjoll.
“E thirra në mëngjes Pep Guardiolën. Nëse jam këtu, në këtë nivel, jam falë tij”, nënvizoi ai. Më tej komentoi në detaje për këtë ndihmë që ka marrë nga ish-tekniku i Barcelonës. “Është falë Pep, në një masë të madhe. Si lojtar dhe si trajner, ai ka qenë një inspirim për mua. Ai është personi që ka vendosur të vë bast në mua, që më përfshiu si trajner të dytë. I përjetova dhe shijova katër vjet të mrekullueshëm me të në Mançester Siti dhe më duhet të jem mirënjohës, do të jem gjithmonë falënderues ndaj tij pasi në të kundërtën nuk do të isha këtu në këtë nivel fantastik”, vijoi Arteta. Suksesin e skuadrës së Arsenalit ndaj Realit Arteta e komentoi menjëherë pas takimit, duke thënë se ndihej i emocionuar nga kualifikimi në gjysmëfinale i skuadrës së tij. “Është njëra prej netët më të mira në karrierën time futbollistike. Kemi luajtur kundër një skuadre me një histori madhështore. Ishte një pikë inspirimi për të gjithë ne në këtë kompeticion. Të arrish ta fitosh lojën në mënyrën se si e bëmë ne, mendoj se duhet të jemi mjaft krenarë me veten”, deklaroi trajneri spanjoll për “TNT Sports” pas lojës.
“Është mjaft e vështirë. Pas 2-3 minutësh e kupton se në këtë stadium mund të ndodh gjithçka. Fatmirësisht shumë gjëra shkuan në favorin tonë. Në përgjithësi e bëmë atë që është dashur ta bënim për ta fituar lojën. Historia e jonë në këtë kompeticion është e shkurtër. Është hera e tretë në historinë tonë që e bëjmë atë që e kemi bërë tashmë dhe duhet të rinisim gjithçka prej këtu”, nënvizoi tutje Arteta. Ai foli edhe për përballjen gjysmëfinale me PSG, përmes së cilës “Topçinjtë” synojnë ta arrijnë finalen e madhe. “E pashë ndeshjen të martën mbrëma, ishte një lojë e çmendur. E njoh mjaft mirë trajnerin Enrike, por ta shijojmë njëherë këtë natë”, përfundoi Arteta.
Mikel Arteta: Pas suksesit me Realin, telefonova Guardiolën, ai më ka ndihmuar të vij deri këtu
