Tirana përballë Teutës pa asnjë fitore këtë sezon, Zharmuni kërkon të tregojë lidershipin

Tirana do të kërkojë më në fund një fitore ndaj Teutës këtë fundjavë, në javën e 35-të të kampionatit. Deri tani, në tri përballjet e mëparshme mes tyre këtë sezon, bardheblutë nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore: dy humbje dhe një barazim në “Arena Kombëtare”. Ndeshja e radhës është mundësia e fundit që Tirana të thyejë këtë tabu.
Ualid Zharmuni, me 12 gola të shënuar deri tani, është lojtari kyç i Tiranës. Ai u shfaq vendimtar në derbin ndaj Partizanit, por në ndeshjen kundër Skënderbeut në Korçë nuk la shumë gjurmë. Me vetëm tre gola larg golashënuesit më të mirë Bekim Balaj, francezi pritet të marrë rolin e liderit në këto sfida të fundit.
Përballjet ndaj Teutës dhe Dinamos janë vendimtare, jo vetëm për ekipin, por edhe për Zharmunin vetë, që synon të tregojë se është lojtari që vendos fatin e ndeshjes.
Në këtë fazë të kampionatit, një tjetër emër ka spikatur për kontributin e tij: Akileu Ndreca. Edhe pse ka kaluar sfida personale, ai ka dhënë maksimumin në fushë. Goditja e tij nga dënimi që u kthye në gol ishte vendimtare për marrjen e pikëve, e dyta pas derbit, duke e shndërruar atë në një element të rëndësishëm në këtë fund sezoni për Tiranën.