Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se pati përfaqësues të partive politike që braktisën konsultimet dhe si pasojë nuk pati kompromis.Lexo edhe :Related Posts
“Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, më 19 prill në orën 12:00 me shpresë që deri atëherë do të ketë pajtueshmëri”, tha Dehari.

Pas dështimit të seancës, kryesuesit i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i ka shkruar një letër presidentes Vjosa Osmani, ku e njoftoi për zhvillimet e ndodhura në seancë dhe kërkoi sugjerime se si të vazhdohet  më tej.
Pas letrës, presidentja citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Ndërkohë subjetket politike kanë reaguar pas ndërprerjes së seancës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku e quajti shkelje të rendë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.
Abdixhiku mes tjerash tha se Dehari, që sipas tij, ka rastisur të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje veproi padrejtësisht pasi sipas tij, kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja nuk ka shumicë dhe nuk është “as afër” arritjes së shumicës, prandaj sipas tij, po pengon mbarëvajtjen e seancën konstituive, për të blerë “kohë për pazare politike”.
“Skenari ka qenë i qartë, e vetmja punë që ka pasur ai [kryesuesi i seancës Avni Dehari] është që të hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuroumit”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, përmes kryesuesit Dehari, LVV-ja po mban peng formimin e institucioneve të Kosovës.
Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu nga LVV tha se partia e saj dëshiron që të gjejë zgjidhje për situatën e krijuar në Kuvend.
Ajo tha se edhe presidentja Osmani i ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje, dhe për këtë, sipas saj, “duhen konsultime”.
“Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, tha ajo duke iu referuar mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Kemi vullnet që të propozojmë mënyra se si duhet shkuar tutje. A do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri… Mund të ketë dhe propozime të tjera”, tha Haxhiu pas ndërprerjes së seancës konstituive.