Vazhdon shkëlqimin, Asani tjetër gol në Iran

Jasir Asani ishte një nga lojtarët më të spikatur në ndeshjen mes Kheybar dhe Esteghlal, e vlefshme për javën e 14-të të kampionatit iranian, e cila u mbyll në barazim 1-1.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u shfaq vendimtar që në minutat e para të takimit, duke kontribuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar të skuadrës së tij në transfertë.
Ishte pikërisht Asani ai që zhbllokoi sfidën në minutën e 8-të të lojës. Pas një ndërhyrjeje të gabuar të mbrojtjes vendase brenda zonës, gjyqtari akordoi penallti për Esteghlal.
Nga pika e bardhë, 30-vjeçari u tregua i saktë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë epërsinë ekipit të tij. Goli i hershëm i dha Esteghlal avantazhin, ndërsa më pas ndeshja u zhvillua me ritëm të balancuar, deri te barazimi i vendasve në vijim të takimit.
Për Jasir Asanin, ky ishte goli i nëntë me fanellën e Esteghlal që nga momenti i transferimit. Përveç realizimeve, sulmuesi shqiptar ka dhënë edhe dy asistime, duke treguar vazhdimësi dhe kontribut të rëndësishëm në fazën ofensive të skuadrës.
Shifrat konfirmojnë përshtatjen e tij të shpejtë me kampionatin iranian dhe rolin e rëndësishëm që ka fituar në ekip.
Asani zgjodhi të nisë këtë eksperiencë të re në Iran pas aventurës së mëparshme me Guangju në Korenë e Jugut.
Esteghlal, një nga klubet më të njohura dhe më të titulluar në futbollin iranian, investoi rreth 1 milion euro për të siguruar kartonin e sulmuesit shqiptar.
Një lëvizje që deri tani po rezulton pozitive, duke parë kontributin konkret të lojtarit në ndeshjet e kampionatit.
Me paraqitjet e tij të fundit, Jasir Asani vazhdon të konfirmojë formën e mirë individuale, duke qenë një pikë referimi për klubin dhe një emër i rëndësishëm edhe për Kombëtaren shqiptare.