Dëmtimi i mesfushorit të Kombëtares në Serinë A, zbulohen afatet e kthimit të mundshëm në fushë

Dëmtimi i Medon Berishës në ndeshjen e fundit të Serisë A ndaj Pizës, alarmoi jo pak duke parë se mesfushori u largua në lot me barrelë nga fusha e lojës që në minutën e 11 të sfidës. Por tani mësohet se ai ka pësuar një tërheqje muskulore në këmbën e djathtë, për fat jo aq shqetësuese sa mendohej fillimisht.
Mediat pranë klubit të Leçes kanë zbuluar se mesfushori i cili kishte qenë një nga lojtarët më të spikatur të kësaj skuadre në Serinë A, do të mungojë disa javë dhe shihet me optimizëm drejt kthimit të tij në gatishmëri të trajnerit Di Françesko në janar.
Ai do të humbasë disa ndeshje të rëndësishme si ato ndaj Komos, Juventusit e Romës, ndërsa parashikohet të kthehet më së shpejti për ndeshjen e 11 janarit kundër Parmës.
Megjithatë, në klubin e Leçes nuk duan të nguten me lojtarin i cili në sezonin e kaluar vuajti shpesh probleme me dëmtimet dhe rikthimet e tyre, ndaj nuk do të rrezikojnë mesfushorin duke e aktivizuar para se të jetë rikuperuar plotësisht.