17 Prill 2025
8:14
Alfred Lleshi
Lucas Vázquez, mbrojtësi i Real Madridit, foli për mikrofonat e “Movistar”, ku analizoi humbjen 2-1 ndaj Arsenalit dhe eliminimin në çerekfinalet e Champions League: “Ishte një ndeshje e vështirë, nuk i patëm të gjitha rastet që do të kishim dashur të kishim.
Kishim besuar te përmbysja pas humbjes 3-0 në Londër, edhe pse ishte diçka shumë e vështirë, sikurse rezultoi në fakt. Pati shumë ndërprerje të lojës, nuk arritëm ta realizonim atë që kishim përgatitur në stërvitje. Na mungoi qetësia me topin, na mungoi pak durimi kur duhej të qarkullonim topin nga një krah në tjetrin për të gjetur hapësira kundër një mbrojtjeje shumë të organizuar”.
Një paraqitje e dobët që nuk i lejoi madrilenët të përmbysnin rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë. Nuk pati deklarata për të ardhmen, veçanërisht për atë të Carlo Ancelottit. Orët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse tekniku italian do të qëndrojë në stolin e “Los Blancos”.
