“Një dush i ftohtë” në një natë dimri, Dodikut mund t’i ngrijë buzëqeshja në fytyrë, ja çfarë treguan zgjedhjet në RS

Marsela SHYTIA
Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë-Hercegovinës ka publikuar rezultatet e paplota të zgjedhjeve të parakohshme për president të Republikës Serbe (RS), ku me 99.72 % të qendrave të votimit të përpunuara, kandidati i SNSD-së, Sinisha Karan, ka marrë 217,324 vota (50.30 %), ndërsa kandidati i SDS-së, Branko Blanuša, ka marrë 208,955 vota (48.37 %). Kjo fitore ngushtë nga Karan konsiderohet jo bindëse, në një përballje ku opozita rezulton relativisht e mobilizuar, pavarësisht përdorimit të madh institucional dhe financiar nga ana e SNSD-së.
Alarm për regjimin
Analistët dhe mediat lokale vlerësojnë se ky rezultat tregon një erozion të mbështetjes për regjimin e udhëhequr nga Milorad Dodik, pavarësisht resurseve të mëdha të përdorura nga SNSD për të promovuar kandidaturën e Karani. Sipas raportimeve, humbjet e mëdha të partisë në Qytetin e Banjallkës dhe Bijeljinës, së bashku me pasigurinë në Pale dhe Prijedor, janë shenja shqetësuese për udhëheqësit e entitetit. Edhe pse fitimi ka ardhur, për SNSD-në është mesazh serioz që votat e Karani-t janë shumë më pak sesa ato që Dodik fitoi tre vjet më parë (rreth 300,000 vota), çka të tregon limitet e “makinerisë” partizane, si dhe mungesën e emocionit masiv popullor.
Apel për rinumërim
Partia SDS ka njoftuar se do t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të rinumërohen votat në tre zona kyçe: Doboj, Laktashi dhe Zvorniku. Këtu, Sinisha Karan ka regjistruar avantazh të konsiderueshëm sipas rezultateve paraprake: në Doboj, diferenca është 8,882 vota (Karan 16,052, Blanusha 7,169); në Laktashi, 4,884 vota; dhe në Zvornik, 6,260 vota. Të tre këto zona së bashku japin avantazh prej 20,391 votash për Karani, shumë më tepër sesa diferenca totale prej rreth 12,000 votash që e vendon atë para Blanushës. Kjo nënkupton se pa përfshirjen e rezultateve nga këto qytete, figura e fituesit mund të jetë rishqyrtuar, sipas SDS.
Fituesi ende në pikëpyetje
Koalicioni “Nën Shqyrtim”, një organizatë joqeveritare aktivistët e së cilës monitoruan zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Serbe (RS), njoftoi se nuk mund ta konfirmojë me siguri fituesin e zgjedhjeve, duke deklaruar se edhe një numër i vogël rastesh të parregullsive në qendrat e votimit mund të ndikojnë në rezultate në një situatë ku ka një garë të ngushtë zgjedhore midis dy kandidatëve për pozicionin e presidentit të RS-së, raportuan mediat e Sarajevës. “Diferenca midis dy kandidatëve kryesorë në zgjedhje është 0.7 përqind dhe është brenda kufirit të gabimit statistikor, i cili për kandidatët kryesorë është plus/minus 1.5 përqind. Prandaj, koalicioni ‘Nën Shqyrtim’, në përputhje me metodologjinë që aplikon, nuk mund ta konfirmojë me siguri fituesin e garës zgjedhore”, thanë ata në një deklaratë.
Rreziku i ri për Dodik
Branko Blanusha, kandidati i SDS-së, është profesor i inxhinierisë elektrike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Banja Luka, dhe ka qenë më parë dekani i fakultetit. Ka doktoraturë në këtë fushë dhe është anëtar i shumë shoqatave profesionale ndërkombëtare, përfshirë tre degë të IEEE (Shoqata e Elektronikës së Energjisë, e Aplikimeve Industriale dhe e Elektronikës Industriale). Ai ka përvojë akademike ndërkombëtare dhe kontribuon si recensues në revista shkencore. I lindur në vitin 1969 në Banja Luka, Blanusha u bashkua me SDS-në në vitin 2013, pas largimit nga Partia Progresive Serbe. Ai ka thënë se kandidimi për president të RS-së është, për të, jo vetëm një nder, por edhe një përgjegjësi – duke premtuar të paraqesë qytetarëve vizion real për ndryshim. Në jetën private, Blanusha është mjaft aktiv: i pëlqen natyra, sportet si ski, noti dhe ecja me biçikletë, këtë të fundit e përdor edhe si mjet kryesor transporti. Sipas fjalëve të tij, ai është një “qytetar i zakonshëm” që jeton jetën e përditshme si çdo banor i Republikës Srpska, dhe beson se shumë prej tyre janë patriotë që meritojnë përfaqësim të fuqishëm.