Paranojat e Vuçiçit, presidenti merr kontrollin e ushtrisë dhe policisë në Serbi

Në një kohë kur mediat perëndimore po shtojnë zërat mbi përfshirjen e supozuar të Aleksandar Vuçiçit në skandalin e snajperëve në Sarajevë, presidenti serb po lëviz fuqishëm për të forcuar pozitat e tij brenda Serbisë. Sipas mediave në Kosovë, qeveria serbe ka ndërmarrë hapa për të ndryshuar ligjin që rregullon forcat e armatosura, duke i dhënë Vuçiçit kompetenca të zgjeruara, ndërsa lëvizje të ngjashme priten edhe në strukturat e policisë.
Këto zhvillime vijnë në një klimë të ngarkuar politike, pasi protestat kundër qeverisjes së tij kanë vijuar për më shumë se një vit, duke thelluar më tej presionin ndaj presidencës. Ndryshimi i miratuar së fundi në Aktin e Forcave të Armatosura e pozicionon Vuçiçin de facto si komandant absolut, pasi amendamenti parasheh që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe oficerët e ushtrisë të veprojnë në përputhje jo vetëm me ligjet, por edhe me vendimet e presidentit, një formulim që mungonte në versionin aktual të ligjit.
Edhe pse Kushtetuta i jep presidentit disa kompetenca mbi ushtrinë, titulli i komandantit të përgjithshëm nuk figuron askund, ndaj analistë si Aleksandar Radiç paralajmërojnë se kjo lëvizje përngjan me modelin e viteve ’90, kur Shtabi i Përgjithshëm varej drejtpërdrejt nga Slobodan Millosheviçi. Përveç ushtrisë, ndryshimet e fundit në strukturat drejtuese të policisë tregojnë se po synohet një kontroll i centralizuar i të gjitha mekanizmave të sigurisë në duart e kreut të shtetit, duke e forcuar edhe më tej pushtetin e Vuçiçit në një moment të ndjeshëm politik për vendin.