Nga Hoxha te Laçi, ja kuqezinjtë që spikatën më shumë gjatë fundjavës

Adriatik BALLA
Kombëtarja e mbylli angazhimin e saj në eliminatoret e Botërorit 2026 në vendin e dytë në grupin K kualifikues, pas Anglisë e cila u kualifikua direkt në fazën finale. Si vend i dytë Shqipëria do të luajë në “play-off” dhe shorti e ka vendosur përballë Polonisë. Nëse arrin ta fitojë duelin me polakët, atëherë do të ndshet me fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.
Optimizmi është i lartë dhe forma e kuqezinjve premtuese. Kështu, lojtarët e Kombëtares shqiptare vazhdojnë të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, teksa gjatë javës që lamë pas disa prej tyre ishin protagonistë me gola dhe asiste vendimtare në klubet e tyre. Arbër Hoxha është futbollisti i momentit në Kroaci. Pasi u shpall lojtari më i mirë i muajit shtator, sulmuesi i Kombëtares fitoi të njëjtin çmim edhe për muajin tetor dhe e festoi duke shënuar dy gola në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Varazdin. Dinamo Zagreb triumfoi 3-1, ndërsa Hoxha realizoi në minutën e 37 të pjesës së parë dhe në minutën e 53 të pjesës së dytë. Dy gola shënoi edhe Jasir Asani për Esteghlal në Kupën e Iranit, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij në kohën shtesë.
Fillimisht sulmuesi kuqezi barazoi rezultatin në fundin e kohës së rregullt me një penallti, ndërsa në shtesë vulosi fitoren e ekipit. Qazim Laçi realizoi një eurogol nga goditja e dënimit me Rizespor ndaj Fenerbahce në kampionatin turk. Mesfushori kuqezi shënoi golin e dytë të takimit në minutën e 15, duke mposhtur portierin kundërshtar, Ederson. Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Juljan Shehu, i cili realizoi për Vidzev Lodz në kampionatin polak në sfidën ndaj Korona Kielce. Shehu shënoi në minutën e 49, megjithatë ekipi i tij u mund në këtë takim. Te goli u rikthye edhe sulmuesi i Kombëtares, Mirlind Daku, i cili realizoi golin e vetëm në ndeshjen Rubin Kazan – Akhmat Grozny, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Daku shënoi në minutën e 75 dhe ky ishte goli i tij i nëntë në kampionat. Anis Mehmeti dha tre asiste në fitoren 3-0 të Bristol City ndaj Sëansea, duke qenë ndër më të mirët në fushë me një paraqitje shumë të mirë. Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Medon Berisha, Adrion Pajaziti dhe Rey Manaj. Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre Nedim Bajrami, Armando Broja dhe Indrit Tuci.
Lojtarët me notë më të lartë
Dje janë publikuar shumica e formacioneve të javës nga “Sofascore”. Sipas statistikave dhe për shkak të kontributit që kishin, Arbër Hoxha në Kroaci, Anis Mehmeti në Angli dhe Florian Kamberi në Zvicër kanë vendin e tyre në formacionet më të mira. Arbër Hoxha realizoi dopietë golash, ndërsa Dinamo Zagreb vendoset tashmë vetëm 1 pikë larg Hajduk Splitit. Nota e Hoxhës 8.3. Anis Mehmeti dhuroi tre asistime dhe Bristol Siti fitoi 3-0 ndaj Svanses. Nota e Mehmetit 8.9. Më tej spikati edhe Florian Kamberi. Një tjetër sulmues shqiptar, i cili nuk debutoi asnjëherë te Shqipëria dhe pse la Zvicrën për ngjyrat kuqezi. Kamberi luan me Rapersuil-Jona në kategorinë e dytë zvicerane. Dopieta e tij kishte vlerë 3 pikë ndaj Etoile. Nota e Kamberit 8.9.