Granit Xhaka, lojtari shqiptar me më shumë ndikim në botë

Adriatik BALLA
Gazeta zvicerane “Blick”, ka bërë një artikull të gjatë për Granit Xhakën, duke thënë se ndikimi që ai ka si në ekip ashtu dhe në publik është shumë i madh. Prandaj duhet bërë pyetja: A është Granit Xhaka futbollisti më me ndikim në botë? Jo domosdoshmërisht më i miri teknikisht, por ai që e ndryshon një ekip nga themeli. Xhaka, bir i prindërve nga Kosova, ka qenë gjithmonë i pajisur me një sens të lindur përgjegjësie. Që në fëmijëri, ai ishte “udhëheqësi i natyrshëm” – një rol që më vonë u forcua përmes sfidave dhe goditjeve që e shoqëruan karrierën e tij.
Nga talenti i hershëm që shfaqet në finalet e Danone Cup, te titulli botëror me U-17, e deri te debutimi te FC Basel – gjithçka tregonte se Graniti nuk ishte lojtar i zakonshëm. Edhe pse shpeshherë është përballur me kritika, ndonjëherë të ashpra, ai ka reaguar me një forcë pothuajse kokëfortë. Në Borusia Munchengladbah mësoi se fjalët vlejnë vetëm nëse i mbështet në fakte. Në Arsenal, pas periudhës së vështirë me kartonë, polemika dhe veçanërisht incidentit me tifozët në vitin 2019, një bisedë me Mikel Artetan i ringjalli karrierën. Ai punoi për veten, ndryshoi, u rrit dhe u kthye në lider të padiskutueshëm.
Xhaka, lojtari që vlen më shumë se statistikat
Xhaka është shembulli i rrallë i një futbollisti që vlen shumë më tepër se statistikat. Ai është standard, ritëm, strukturë. Te Sunderland, një skuadër që sipas parashikimeve duhej të luftonte për mbijetesë, ai krijoi një transformim që mediat angleze e quajnë “fenomen”. Ai dirigjon tonin në stërvitje, mban ekipin të bashkuar dhe e shtyn drejt një niveli që askush nuk e priste. Te Zvicra, ndërkohë, është dirigjenti i një orkestre që funksionon sipas pulsit të tij. Kur Xhaka është mirë, Zvicra është mirë. Madje edhe kur nuk merr skenën për vete, ai krijon hapësira që të tjerët të shkëlqejnë, siç ndodhi kundër Kosovës dhe Suedisë. Për një kohë, pati dyshime për rolin e tij si “teamplayer”, veçanërisht pas disa polemikave në ndeshjet kundër Serbisë apo episodit të tatuve para Euro 2021. Influenca e tij shkon përtej fushës.
Ai është sot më shumë se lider – është “arkitekt i mentalitetit”, njeriu që e ngre standardin dhe e detyron gjithë ekipin të ngrihet me të. Në një kohë kur shumë yje varen nga statistikat dhe rrjetet sociale, Xhaka është futbollisti i vjetër në shpirt, por modern në qasje: i përkushtuar, i disiplinuar, i pandalshëm. Prandaj pyetja nuk është më provokuese, por e vlefshme: A ka sot një futbollist në botë që e ndryshon një ekip më shumë sesa Granit Xhaka? Teknika e tij nuk është më e mira absolute. Por ndikimi që ka – te klubet, te Zvicra, te lojtarët rreth tij – e bën unik. Dhe fundi i kësaj historie ndoshta ende nuk është shkruar. Xhaka tashmë po punon për licencat e trajnerit. Në të ardhmen, ai mund të bëhet po aq i rëndësishëm nga bankina sa është sot në fushë. Ashtu siç thotë Jakin: “Ai mendon si trajner. Dhe kështu e udhëheq kombëtaren e Zvicrës”. “E përkohshme është forma, por ndikimi i Granit Xhakës duket se do të zgjasë shumë më gjatë, shkruan gazeta “Blick”.