Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine thotë se situata nga moti i keq po shkon drejt përmirësimit.
Në një lidhje për “MCN Live” ai deklaroi se situata më e vështirë paraqitet në zonën e Çukës dhe Berdeneshit, ku ka 500 hektarë tokë nën ujë.
Ndër të tjera ai deklaroi se si pasojë e përmbytjeve kanë ngordhur 500 krerë bagëti dhe mbi 2000 shpendë.
“Kjo është dita e gjashtë e punimeve në argjinaturën e basenit të lumit Bistrica, po punojmë në dy fronte për riparimin e çarjeve në argjinaturë. Puna është intensifikuar me ndihmën e disa institucioneve, Forcave të Armatosura, fondi i kullimit të Fierit dhe shërbime të tjera që po na ndihmojnë për zgjidhjen e problematikës. Reshjet ishin të jashtëzakonshme, se edhe banorët e thonë se kishin vite që nuk binin reshje të tilla në Sarandë dhe veçanërisht në zonën e Çukës dhe Berdeneshit.
Nga Ujësjellës Kanalizime janë marrë gjithë masat për furnizimin me ujë të pijshëm, ka pasur ndërprerje pardje dhe dje, por situata aktualisht po shkon drejt normalizimit. Ekipet përveç pjesës së argjinaturës, kafshëve të ngordhura dhe furnizimin me koncentrat, po marrin masa për mos përsëritjen e problematikave.
Zonat më problematike janë ajo e Çukës dhe Berdeneshit, ku kemi mbi 500 hektarë tokë të përmbytur, 700 krerë bagëti të ngordhura dhe rreth 2000 shpendë. Aktualisht po largojmë kafshët dhe shpendët e ngordhura.
Ndërkohë po bashkëpunojmë dhe me drejtorinë e bujqësisë dhe veterinarisë, për minimalizimin e pasojave nga sëmundjet. Dje dhe sot janë shpërndarë 6 ton koncentrat si ndihmë për fermerët. Dëmi ekonomik është i jashtëzakonshëm, pasi kemi fermerë që janë prekur dhe te magazinat ushqimore.”
Jolio Dine tregon bilacin e permbytjeve ne Sarande: Mbi 500 hektarë tokë e përmbytur, 700 bagëti të ngordhura dhe mbi 200 shpendë
