Pezullimi i transportit publik, punonjësit në protestë kundër vendimit/ Rama: Ja kush i mban peng pagesat

Transportuesit privatë në Prishtinë kanë dalë në protestë sot pas vendimit për të pezulluar të gjitha linjat për shkak të mospagesës nga komuna. Atyre iu janë bashkuar edhe punonjësit e “Trafikut Urban” dhe kërkojnë zgjidhje për problemet e vazhdueshme me pagesat.
Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur mbështetje për kërkesat e transportuesve duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për të zgjidhur krizën financiare që po ndikon edhe në funksionimin e transportit publik në kryeqytet.
 “Më vjen shumë keq se në çfarë niveli na ka sjellë kjo qeveri me bllokadë dhe e ndjej shumë për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar për punën që e keni bërë për gjithë këta muaj për me i shërbyer qytetarëve të kryeqytetit, përkundër sabotazheve, bllokadave. E di që edhe ne, sikur ju, sikur me pas rrogën tënde në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos me t’i lëshura paret. Kështu edhe qeveria po bën ndaj komunës. Paratë tona, të cilat i kemi të gatshme, nuk po na i lëshon për me i kry detyrimet tona ndaj jush. Prandaj, problemi është atje”, tha Rama.
Transportuesit privatë kërkojnë që Qeveria të sigurojë fondet e nevojshme dhe të rregullojë pagesat e vonuara, ndërkohë që protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet e tyre derisa të ketë një përgjigje konkrete nga institucionet.