“Super Viareggio Cup”, të rinjtë e Vllaznisë në garë për trofeun në Itali

Vitet e fundit Federata Shqiptare e Futbollit ka përfituar nga projektet e UEFA-s, duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteteve europiane. Madje, Shqipëria dhe FSHF kanë pritur edhe mjaft veprimtari sportive futbollistike, në gjini të ndryshme dhe në mosha të ndryshme, për të përfshirë sa më shumë të rinj e të reja në lojën e bukur të futbollit. Ekipet tona të moshave kanë pasur një progres cilësor ndërkombëtar.
Natyrisht, jo të gjthë, por muajt e fundit po vërehet edhe një rritje e grupeve të të rinjve nga klubet tona që bëjnë gara ndërkombëtare. Kështu, të enjten, më 4 dhjetor 2025, në orën 15:00, në stadiumin “Torquato Bresciani” të Viareggio-s në Itali, do të zhvillohet edicioni i parë i Super Viareggio Cup. Në këtë finale historike përballen skuadra fituese e Viareggio Cup U18 dhe fituesja e Eagle CUP, turne ndërkombëtar për të rinj, i frymëzuar nga i famshmi “Coppa Carnevale” dhe i cili, që nga viti 2025, zhvillohet çdo vit në Shqipëri nën kujdesin e Fondacionit Albitsol, në bashkëpunim me FSHF dhe Universitetin e Sportit.
Për superkupën e parë do të përballen të rinjtë e Genoa-s, fitues të finales së marsit 2025 të Viareggio Cup ndaj Fiorentinës, dhe të rinjtë e Vllaznisë, triumfues ndaj Veronës në finalen e edicionit të parë të Eagle CUP. Ky eveniment shënon një moment historik jo vetëm për skuadrën U18 dhe klubin Vllaznia, por edhe për të gjithë sportdashësit shqiptarë. Turneu i Viareggio-s konsiderohet një nga eventet më të rëndësishme të futbollit për të rinj në Europë. Me mbi 70 vite histori, ai ka pritur klubet më prestigjioze të futbollit italian dhe europian dhe mbetet një prej platformave kryesore për zbulimin e talenteve të reja. Këtë herë është Vllaznia e të rinjve që dëshiron të lerë gjurmë në këtë veprimtari. Ajo e ka një shans të shkruajnë faqe suksesi.