Flamurtari dhe Tirana “mjaftohen” me nga një pikë, por mbeten në fund. “Paqe” mes Partizanit dhe Vllaznisë

23 Nëntor 2025

18:30

Telesport

Kanë përfunduar dy ndeshjet e javës së 12-të në Abissnet Superiore. Në Vlorë, Flamurtari dhe Tirana u ndanë në barazim 1-1. Vendasit gjetën të parët golin në minutën e 37-të, me Erald Maksutin, i cili bën vetë gjithçka bukur dhe mposht Angelo Tafas. Ka protesta nga bardheblutë, por ndërhyn VAR dhe goli quhet i rregullt.
Barazimi i bardhebluve erdhi në minutën e 75-të, ku Eliton Junior shënoi me një goditje të bukur nga distanca, e ndihmuar edhe nga devijimi i njërit prej lojtarëve vendas. Rezultati final 1-1, Tirana mbetet në vendin e 10-të, Flamurtari në vendin e 9-të.
Në “Arenën e Demave”, u luajt Partizani-Vllaznia, e mbyllur me shifrat 1-1. Të kuqtë gjetën të parët avantazhin me Rrok Toma në fund të pjesës së parë, i cili shënoi pas një topi të gjatë të ardhur nga Andi Janjeva.
Esat Mala barazon shifrat për Vllazninë në minutën e 59-të me një supergol, por nuk feston në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij. Rezultati final, 1-1.