Ajo që konsiderohej një garë e mirë për dy makinat McLaren në Las Vegas dhe vecanërisht për Lando Norris, është kthyer një makth për të dy pilotët.
Lando Norris dhe Oscar Piastri u skualifikuan nga Çmimi i Madh i Las Vegasit për shkak të konsumimit të tepërt të shasisë së makinave të tyre. Bëhet fjalë për një zonë të quajtur si “dërrasa e dyshemesë“, ose rrëshqitësja, e cila është një dërrasë druri e pozicionuar në dyshemenë e sheshtë të makinës.
Roli kryesor i së cilës është të mbajë një distancë minimale nga toka për arsye sigurie. Kjo sipërfaqe është 10 milimetra e trashë dhe, sipas rregullores, nuk mund të konsumohet më shumë se një milimetër (pra nuk mund të jetë më pak se 9 mm). Ky rregull është thyer nga të dy pilotët e McLaren.
Për shkak të skualifikimit, Norris dhe Piastri (të dytët dhe të katërt në fund të garës) humbën përkatësisht 18 dhe 12 pikë, garë që u fitua nga Max Verstappen. Falë këtij skualifikimi, holandezi i Red Bull tani është 24 pikë pas Norris dhe me pikë të barabarta me Piastri në renditjen provizore, dy gara nga fundi.
Pas skualifikimit, në vendin e dytë ngjitet britaniku i Mercedes, George Russell, që e mbylli garën në vendin e tretë dhe në këtë mënyrë fiton një pozicion. Në podium ngjitet edhe italiani Kimi Antonelli me makinën tjetër Mercedes (që në garë u rendit i pesti). Në vendin e katërt ngjitet Charles Leclerc me Ferrari, ndërsa Lewis Hamilton klasifikohet i teti.
Surpriza!!! Skualifikohen dy makinat McLaren nga gara e Las Vegas, rihapet botërori, Antonelli në podium
