Kryesfida e javës së 12-të në Abissnet Superiore, mes Dinamos dhe Elbasanit, e laujtur në “Air Albania”, është mbyllur 1-1.
Dinamo rrezikoi e para me Qefaliajn në minutën e 12-të, por goditja e mesfushorit përfundon mbi traversë. Në minutën e 20-të, ishte sërish Klevi Qefalija që pë provon të gjejë golin nga goditja e dënimit, por topi përfundon jashtë. Në minutën e 31-të, Dejvi Bregu provon të befasojë nga distanca, por goditja e tij ndalet pa problem nga Janacek.
Në minutën e 33-të, pas një aksioni të bukur të verdhebluve, Loukili futet bukur në zonë dhe asiston për Blaise Tsague, sulmuesi kamerunas dërgon topin në rrjetë.
Barazimi i Dinamos do të vinte në minutën e 43-të, ku Dejvi Bregu u tregua i saktë nga penalltia, e fituar pas një faulli të portierit Janacek ndaj Florenc Farruku, i futur në vend të Bernard Berishës, i dëmtuar. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë nis me dy ndëshkime të verdha për “Blutë”, fillimisht Dejvi Bregu për simulim dhe më pas Naser Aliji për faull. Në minutën e 60-të, Elbasani i afrohet goli aps një goditjeje këndi, por Aldo Teqja tregohet i vëmendshëm në fund.
Zhvillimi më i interesant i pjesës së dytë ishte në minutën e 86-të, ku pati një kontakt në zonë mes mesfushorit të Dinamos, Eridon Qardaku, i futur në pjesën e dytë dhe portierit verdheblu Janacek. Arbitri kryesor i takimit drejton gishtin nga penalltia, arbitri anësor jep pozicion jashtë loje. Ndërhyn VAR dhe vendimi i anësorit ishte i drejtë. Rezultati final 1-1.
Pas këtij barazimi, Dinamo ngjitet në vendin e katërt me 19 pikë, Elbasani mbetet në krye me 24 pikë.
“Luftë” e madhe për një pikë. Dinamo-Elbasani, bëjnë “paqe” në “Air Albania”
