Shqipëria po mahnit vizitorët me bukuritë e saj, historinë e pasur dhe mikpritjen, duke u shfaqur si një destinacion sekret turistik në Europë, shkruan revista “Business News This Week”.
Revista prestigjioze ndalet në mënyrë të detajuar për vendin tonë, duke nënvizuar se Shqipëria ofron peisazhe natyrore marramendëse, plazhe të pastra, trashëgimi të lashtë dhe përvoja udhëtimi të përballueshme, duke e bërë destinacionin perfekt për turistët që kërkojnë të eksplorojnë vende përtej atraksioneve kryesore evropiane.
Riviera Shqiptare është padyshim vendi i plazheve perfekte si Dhërmiu, Jala dhe Himara, por ujërat e kristalta, shkëmbinjtë dhe rëra e bardhë e bëjnë Shqipërinë një nga rajonet bregdetare më të bukura të Europës, shkruan “Business News This Week”.
Më tej, në fokusin e revistës prestigjioze janë Alpet Shqiptare, që ofrojnë shtigje fantastike, lugina të bukura, liqene alpine dhe biodiversitet të pasur, ku atraksionet që ia vlejnë për t’u vizituar janë Valbona dhe Thethi. Ndërsa në jug, revista “Business News This Week” sugjeron Parkun Kombëtar të Llogarasë, perfekt për turistët që kërkojnë pamje të paharrueshme.
Gjithashtu, trashëgimia kulturore e Shqipërisë, që është e rrënjosur në një histori të gjatë të ndikuar nga qytetërime të shumta, tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare, ku rrënojat e lashta e qytetet osmane u ofrojnë vizitorëve një vështrim magjepsës në të kaluarën.
Njëherësh, Shqipëria është shtëpia e disa prej thesareve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si Butrinti, Berati dhe Gjirokastra.
Në përmbyllje të artikullit, “Business News This Week” shkruan se për turistët që kanë një buxhet të kufizuar, Shqipëria është një nga destinacionet më të mira në Europë.
