Përroi del nga shtrati dhe dëmton argjinaturën, banorët e Kamenicës në ankth nga përmbytjet

Reshjet e dendura të pasdites kanë shkaktuar një situatë alarmante në fshatin Kamenicë të Korçës, ku përroi që përshkon zonën ka dalë nga shtrati, duke dëmtuar argjinaturën dhe një urë. Banesat që ndodhen në të dy anët e përroit janë në rrezik përmbytjeje, ndërsa banorët kanë kaluar net pa gjumë nga frika se uji do t’u hyjë në shtëpi.

Gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, raporton se deri më tani nuk ka banesa të përmbytura, por situata mbetet e tensionuar. Shërbimet Publike të Bashkisë po punojnë për pastrimin e shtratit të përroit, ndërsa niveli i ujit vazhdon të rritet.

Një banor i zonës ka shprehur shqetësimin e tij për situatën alarmante të krijuar nga dalja e përroit nga shtrati. Ai tregon se skarpatat e betonuar më pak se një vit më parë janë dëmtuar rëndë, ndërsa pllakat pranë urës janë çarë, duke bërë që uji të përshkojë drejt banesave.

“Siç e shikoni, lumi ka grryer skarpatat të cilat nuk kanë një vit që janë betonuar, që presupozohet që i bënë këta me 5 cm beton. Kanë plasur pllakat te ura dhe na e kthen ujin në shtëpi. Jemi të rrezikuar! Kanë bllokuar rrugën, kanë vendosur dhe shirita ‘mos kaloni’, ne kemi të sëmurë në shtëpi. Rrezikohen të gjitha banesat, ja biznesi që është këtu afër, i ka hyrë i gjithë uji brenda. I gjithë fshati këtu është, anës lumit. Thonë që është nën kontroll çdo gjë, kur në fakt nuk është. Është rritur niveli i ujit, hera e parë që na ndodhin këto gjëra. Tani ky rregullimi te lumi këtu u bë nga taksat tona dhe shih në çfarë gjendje është. Kemi frikë se do na prishen çfarë kemi në shtëpi. Edhe herë të tjera ka rënë shi, por nuk është bërë kështu, se ndodh kjo për shkak se këputen pllakat, zënë urën dhe uji hidhet jashtë pranë banesave.”, shprehet banori.

Një tjetër banor e përshkruan gjithashtu gjendjen si tepër të rënduar, duke theksuar se përmbytjet kanë detyruar të gjithë fshatin të qëndrojë jashtë për dy ditë me radhë.

Situata është shumë e rënduar, ka përmbytje, ka dy ditë që rrimë të gjithë bashkë jashtë dhe po hyn uji në shtëpitë tona. Siç e shihni dhe vetë si është. Na frikëson kjo situatë dhe po rrimë gjithë natën pa gjumë. Nuk është bërë punë e mirë në ndërtimin e skarpatës. Duhet të bëhet siç duhet kjo punë. Për momentin banesa të përmbytura nuk ka, por tendenca është që do hyjë ujë. Në lokale ka hyrë uji. Po vazhdoi deri në mëngjes shiu, do hyjë në banesa. Ne po rrimë i gjithë fshati jashtë banesave, siç e shihni. Kjo situatë ka ardhur nga lumi (skarpatat) që nuk është ndërtuar mirë. Po të ishte bërë mirë investimi, nuk do ishte bllokuar lumi. Nuk është pastruar asnjëherë lumi në 30 vjet. E parkojnë skavatorin sa bëjnë foto dhe nuk pastrojnë lumin.”, u shpreh banori.