Kuqezinjtë i kanë sytë sot nga FIFA, nga shorti për duelet e marsit që të çojnë në Kupën e Botës. Kështu, sot në Zyrih të Zvicrës, në orën 13:00, do të hidhet shorti i fazës “play-off” për Kupën e Botës 2026, ku Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarin e gjysmëfinales si edhe rivalin e mundshëm për finalen e grupit që siguron një vend në Botërorin 2026. Shqipëria në shortin e “play-off”-it do të jetë e pozicionuar në vazon 3, së bashku me Irlandën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në total janë 16 skuadra që marrin pjesë në fazën “play-off” dhe ato ndahen në katër vazo, sipas renditjes së FIFA-s dhe kritereve të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA. Shorti do të përcaktojë tetë gjysmëfinalet dhe katër finalet e mundshme, të cilat do të luhen në mars 2026. Ekipet e vazos së parë do të ndeshen me ekipet e vazos së katërt, ndërsa ekipet e vazos së dytë përballen me ekipet e vazos së tretë. Shqipëria do të përballet me një nga skuadrat e vazos së dytë: Poloninë, Uellsin, Çekinë ose Sllovakinë. Gjysmëfinalet zhvillohen me një ndeshje të vetme dhe skuadrat e vazos 1 dhe 2 do ta luajnë ndeshjen në fushën e tyre, çka do të thotë se Kombëtarja shqiptare do të luajë në transfertë. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 26 mars, ndërsa finalet më 31 mars 2026. Fituesit e gjysmëfinaleve kalojnë në finalen e “play-off”-it përkatës. Për çdo finale “play-off”, shorti përcakton paraprakisht se cili fitues i gjysmëfinales do të luajë në shtëpi.
Vazot e shortit
Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina
Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia
Vazo 3: Shqipëria, Irlanda, Bosnje-Hercegovina, Kosova
Vazo 4: Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut
Sot shorti i “play-off”-it, sytë e kuqezinjve nga Zyrihu për të mësuar emrin e rivalit
