“Model frymëzimi për kombin tonë”/ Fishkëllimat për Granit Xhakën në Prishtinë, reagon bashkëshortja dhe vëllai i tij

Zvicra ka vulosur mbrëmë kualifikimin direkt për Kampionatin Botëror “USA–Meksikë–Kanada 2026”, pas barazimit 1:1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Rezultati i mjaftoi skuadrës helvetike për ta mbyllur grupin në vend të parë dhe për të prerë biletën pa kaluar nga faza play-off. 
Në këtë fushatë kualifikuese, mesfushori Granit Xhaka ka qenë një ndër figurat kyçe të Zvicrës, duke udhëhequr ekipin drejt një Botërori tjetër. Megjithatë, takimi i mbrëmshëm në Prishtinë nuk ishte i lehtë për kapitenin, i cili u përball me vërshëllima nga një pjesë e tifozëve në momentet kur prekte topin një reagim që ai vetë nuk e kishte pritur. 
Pas kësaj ngjarjeje, ka ardhur edhe reagimi publik i vëllait të tij, Taulant Xhakës. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare i doli në mbrojtje Granitit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: 
“Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla. Krenaria e shqiptarëve. Zoti i ruajt të gjithë shqipet e vërteta nëpër botë.” 
Reagimi i Taulantit ka marrë dhjetëra komente mbështetëse, ndërsa debati për pritjen që iu rezervua Granit Xhakës vazhdon të shpërfaqë ndasi mes tifozëve shqiptarë. 
 Situata e tensionuar me Xhakën, reagon edhe bashkëshortja e tij: Përgjithmonë model frymëzimi për kombin tonë 
Gruaja e Granit Xhakës, Leonita Lekaj, ka reaguar në rrjete sociale pas pritjes jo edhe aq të mirë që futbollisti mori gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Zvicrës. 
Ndeshja u zhvillua të martën në mbrëmje në Prishtinë, nën një shi të dendur që e shoqëroi gjatë gjithë 90 minutave. 
Kosova e mbylli ciklin e kualifikueseve me barazim 1-1 kundër Zvicrës, duke siguruar pikën që i duhej për ta ruajtur vendin e dytë në grup. 
Ky rezultat u konsiderua historik pasi për herë të parë Kosova siguroi pjesëmarrjen në ‘play-off’. 
Megjithatë, atmosfera në stadium nuk ishte e njëjtë për të gjithë lojtarët. 
Xhaka, kapiteni i Zvicrës me origjinë nga Kosova, u përball me reagime të përziera nga tifozët vendas, çka ka nxitur reagime të shumta në rrjet. 
Mes atyre që vendosën të reagojnë ishte edhe bashkëshortja e tij, Leonita Lekaj, e cila përmes një postimi shprehu mbështetjen për Granitin. 
“Përgjithmonë model frymëzimi për kombin tonë. Përgjithmonë krenare me ty”, shkroi ajo.