Mario Mitaj është konfirmuar si një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares shqiptare gjatë fushatës kualifikuese të Botërorit.
Performancat e tij në krahun e majtë të mbrojtjes kanë qenë të qëndrueshme dhe të vlerësuara gjerësisht, duke e pozicionuar atë mes futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës kuqezi në këtë cikël eliminator.
Kontributi i tij në ndeshjet e zhvilluara ka qenë i dukshëm, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në mbështetjen e aksioneve sulmuese të ekipit.
Vlerësimi më i rëndësishëm ka ardhur nga platforma ndërkombëtare e statistikave “SofaScore”, e cila e ka përfshirë Mitajn në formacionin ideal të Europës për kualifikueset e Botërorit. Ai është renditur si mbrojtësi i majtë më i mirë i këtij cikli, me një notë mesatare 7.62.
Përzgjedhja e tij e vendos në një 11-she ku bëjnë pjesë emra të rëndësishëm të futbollit europian, nga Franca, Portugalia, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Anglia, duke e theksuar nivelin e lartë të paraqitjeve të tij.
Mitaj ka luajtur në 6 nga 8 ndeshjet e Shqipërisë gjatë eliminatoreve. Ai mungoi në të dyja sfidat ndaj Anglisë, fillimisht për shkak dëmtimi dhe më pas për shkak të vendimit teknik të trajnerit Silvinjo, i cili e la në tribunë për arsye kartonësh.
