“Vjosa nën kontroll”/ Çako nga ura e Mifolit: I gjithë sistemi i emergjencave në gatishmëri

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar situatën në urën e Mifolit, në zonën e Novoselës, ku prurjet e lumit Vjosa janë të larta për shkak të reshjeve të ditëve të fundit, por shton se situata është ende nën kontroll. 

Çako u shpreh se të gjitha strukturat e mbrojtjes civile ndodhen në gatishmëri të plotë. 

“Jemi në pikën më nevralgjike të shkarkimit të Vjosës. Nivelet janë në rritje, por vlerësimet bëhen mbi matjet e prurjeve në Përmet dhe Memaliaj. Në Përmet ka shënuar ulje të nivelit të ujit, megjithatë të gjitha mjetet dhe strukturat janë në dispozicion,” u shpreh ai. 

Sa i përket motit, Çako tha se pasditen e sotme priten reshje me intensitet të lartë në zonën bregdetare, por theksoi se kjo nuk do të ketë impakt në rritjen e nivelit të Vjosës. 

Ai siguroi se sistemi i mbrojtjes civile mbetet i përgatitur për të menaxhuar çdo situatë që mund të paraqitet. 

“I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri për të menaxhuar e situatave të reshjeve në të gjithë vendin. Të gjitha strukturat dhe mjetet janë në dispozicion si në nivel vendor dhe në nivel kombëtar”, tha Çako.