Deklaratat e papërshtatshme, Mali i Zi “dush të ftohtë” ambasadorit rus

Mali i Zi i ka thënë “Jo” Moskës. Rusia duket qartë se po bën gjithçka të ndërhyjë në rajon dhe sidomos në vende si Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja apo Serbia. Por Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka thirrur në një takim urgjent ambasadorin e Federatës Ruse në Podgoricë, Aleksandar Lukašik, duke i dorëzuar një notë të qartë proteste për deklaratat e tij të fundit, të cilat autoritetet malazeze i konsiderojnë si “të papranueshme, të panevojshme dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit”. Sipas MPJ-së, ambasadori rus ka dalë jashtë çdo kornize të sjelljes diplomatike duke kritikuar hapur: vendimin e Kuvendit të Malit të Zi për t’iu bashkuar mekanizmit të NATO-s për ndihmë dhe trajnim të Ukrainës (NSATU), si dhe intervistën e presidentit malazez Jakov Milatoviç për gazetën franceze La Croix, ku ai theksoi se zgjerimi i BE-së është mjeti më i fortë për të kufizuar influencat e aktorëve të tretë, përfshirë Rusinë.
“Këto vlerësime janë ndërhyrje e pastër dhe Mali i Zi nuk do të lejojë që askush të cenojë integritetin e institucioneve dhe politikës së jashtme të vendit”, theksoi MPJ në reagimin e saj. Autoritetet malazeze i kanë bërë të qartë ambasadorit Lukašik se çdo deklaratë e ngjashme në të ardhmen do të trajtohet si veprim i qëllimshëm armiqësor, me pasoja diplomatike të menjëhershme, duke nënvizuar se Podgorica orienton politikën e saj të jashtme mbi interesat kombëtare, anëtarësimin në NATO dhe kursin drejt Bashkimit Europian, jo sipas direktivave nga Moska apo cilido aktor tjetër. Më 13 nëntor, Lukašik akuzoi Parlamentin e Malit të Zi për “veprimtari antiruse” pas votimit të angazhimit në misionin e NATO-s për Ukrainën. Edhe më herët, më 1 nëntor, ai kritikoi Podgoricën për “përshpejtimin e panevojshëm të rrugës drejt BE-së duke dobësuar lidhjet me Rusinë”.