Skandali, Lamine Jamal një nga lojtarët më të abuzuar në baza racore në rrjetet sociale

Adriatik BALLA
Një studim për racizmin në futboll ka gjasa të zbulojë një megaskandal të futbollit botëror, ku lojtarë me ngjyrë janë viktima të thirrjeve raciste si në fushë, në rrugë dhe në rrjetet sociale. Duket e pabesueshme por në rrjetën e dhunuesve kanë rënë edhe yje të futbollit botëror, përfshi dhe një nga talentet më premtuese të futbollit botëror të viteve të fundit. Kështu, një studim ka arritur në përfundimin se Lamine Jamal merr më shumë abuzime racore në rrjetet sociale sesa të gjithë lojtarët e tjerë të La Ligës së bashku. Sulmuesi i Barcelonës, i cili u shënjestrua nga tifozët e Real Madridit në “Santiago Bernabeu” në vitin 2024, është figura kryesore e urrejtjes online në Spanjë. Fenomeni i racizmit është rritur si në stadiume ashtu edhe online vitet e fundit në futbollin spanjoll, dhe kohët e fundit është përballur me më shumë vëmendje publike dhe dënime penale. Fytyra e fushatës kundër tij ka qenë Vinicius Junior, i cili merr numrin e dytë më të lartë të sulmeve racore online.
Studimi, i kryer nga Observatori Spanjoll i Racizmit dhe Ksenofobisë (Oberaxe), përdor një sistem AI të quajtur FARO për të zbuluar sulmet racore. Gjatë sezonit të kaluar u regjistruan gjithsej 33,438 sulme me përmbajtje të raportueshme. “El País” ka publikuar gjetjet, dhe rezultatet tregojnë se Lamine Jamal ka marrë 60% të të gjithë abuzimeve racore online. Mes yllit të Barcelonës dhe Viniciusit (29%), ata përbëjnë gati 90% të të gjitha sulmeve, me Kilian Mbape, Alejandro Balde, Brahim Diaz dhe Inaki Uilliams si shënjestrat e tjera kryesore.
Studimi zbuloi se lojtarët e Barcelonës (32%) dhe Real Madridit (34%) janë më të shënjestruarit, të ndjekur nga Real Valadolid (17%), Valencia (8%), Athletic Club (6%), Real Sociedad (5%) dhe Atletiko Madrid (5%). Nga platformat e analizuara, “Oberaxe” zbuloi se “Facebook” është platforma më aktive në luftimin e racizmit. Komentet apo postimet abuzive u hoqën në 62% të rasteve, ndërsa platforma më e keqe në kontrollimin e gjuhës së urrejtjes është “Tëitter”/”X”. Platforma e Elon Musk heq vetëm 10% të përmbajtjeve të raportuara me abuzim racor. La Liga ka rritur përpjekjet për të luftuar racizmin në stadiume, por në një kontekst global, shumë mendojnë se dënimet e dhëna nga autoritetet spanjolle nuk janë mjaftueshëm të qëndrueshme apo të ashpra për të vepruar si pengesë. Kërkohet rritje e vigjilencës dhe ndëshkimi i rasteve.