Sulmi kuqezi zhgënjeu në eliminatoret e Botërorit, De Biazi ka pikëpamjen e tij për ecurinë e Shqipërisë

Adriatik BALLA
Arritjet e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit, si vend i dytë dhe që do të luajë në “play-off” të Kupës së Botës, tregojnë arritjen e skuadrës së Silvinjos dhe të kuqezinjve. Por sa takon reparteve, vetëm mbrojtja e ka justifikuar veten, sulmi ka lënë mangësi të shprehura dhe nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Kështu, në 8 ndeshje të luajtura, ka shënuar vetëm 7 gola, por vlen të theksohet fakti se golat e shënuar kanë qenë vendimtarë duke dhënë pikë. Golin e parë, e shënuam në ndeshjen ndaj Andorrës në Tiranë, i cili u pasua edhe nga 2 gola të tjerë në të njëjtën ndeshje. Kjo ishte fitorja më e thellë e Shqipërisë, me rezultatin 3-0 dhe e vetmja në të cilën shënuam më shumë se 1 gol. Më pas, nuk arritëm të shënonim në asnjë ndeshje më shumë gola, duke u ndalur në barazim pa gola me Serbinë e në barazim 1-1 me Letoninë. Me të njëjtin rezultat, fituam më pas kundër Letonisë, kundër Serbisë dhe në fund kundër Andorrës, rezultate këto minimale por me vlera të jashtëzakonshme për kualifikimin tonë. Anglia është skuadra e vetme të cilës nuk i kemi shënuar asnjë gol në 2 ndeshje, ndërsa Andorra skuadra që ka pësuar 4 gola nga ne.
Qëndrimi i De Biazit
Ka rreth 8 vite që është larguar nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, por Xhani De Biazi tashmë është pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit tonë. Mbrëmjen e së dielës ai ishte në stadium për të ndjekur kombëtaren tonë, por edhe të tijën, duke qenë se edhe në intervistën për “Top Channel”, ai i referohet si kombëtarja jonë. “Sigurisht një ndeshje shumë e mirë përballë Anglisë, një kundërshtari të një tjetër niveli teknik e taktik, megjithatë duhet thënë se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme edhe nga këndvështrimi i përgatitjeve për ndeshjet e ardhshme të “play off”-it, edhe pse ende nuk dihet kundërshtari. Është shumë e rëndësishme që të mos kthehemi në skllevër të ndeshjeve të marsit dhe t’i konsiderojmë gjithë kohës sikur kemi një peshë të rëndë mbi supe. Mendoj që duhet t’i marrim pak më qetë ato ndeshje, por në të njëjtën kohë të bindur se kemi shumë forcë brenda grupit tonë”, thotë De Biazi.
Tifozët dhe kundërshtari në “play-off”
Ndërkohë, edhe pse me Anglinë dhe të vetëdijshëm për diferencat mes ekipeve, sërish pas golave të pësuar tifozët filluan të largohen. “Stadiumi, në ndeshjen me Anglinë, kishte një atmosferë mjaft të mirë nga tifozët dhe padyshim që ata kanë qenë një armë shumë e fortë për ne. Ndërkohë që vura re se pas pësimit të golit të parë tifozët filluan të iknin sepse menduan se përfundoi gjithçka, por është pikërisht ai momenti kur duhet mbështetur ekipi më tepër, sepse kur ikën pa përfunduar ndeshja duket si mungesë respekti ndaj atyre lojtarëve që ishin në fushë dhe dhanë shpirtin e tyre për t’u përpjekur të bënin diçka më shumë”, shprehet ish-tekniku i Shqipërisë. Sa i përket “play-off”-it dhe kundërshtarit të radhës për kuqezinjtë, De Biazi ka një të preferuar: “Me shumë mundësi skuadrat me të cilat ne mund të përballemi janë Skocia, Sllovakia, Republika Çeke apo Polonia. Mendoj që e vetmja, ose më mirë, do të doja që kundërshtari ynë të ishte Sllovakia. Ngjan e çuditshme, por unë me ta jam përballur kur drejtoja Azerbajxhanin dhe besoj që Shqipëria mund ta mundë”, nënvizoi në fund De Biazi.