Zv/kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në hidrocentralin e Komanit mbrëmjen e kësaj të marte, 18 nëntor. Ajo tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, ku si pasojë e reshjeve intensive janë shtuar ndjeshëm prurjet në kaskadë.
Ministrja u shpreh se nuk pritet të hapen portat e hidrocentralit. Ajo theksoi se KESH-i ka punuar që prej datës 11 nëntor për të liruar volumet dhe se në liqenin e Komanit, atë të Vaut të Dejës dhe Fierzës ka ende mundësi për të akumuluar.
“Ne jemi të përgatitur. Çfarë është e rëndësishme dhe çfarë duhet t’u themi të gjithë njerëzve, nuk parashikohet hapja e portave sepse ky është problemi kryesor dhe shpeshherë abuzohet edhe me lajmin. Në rastin e përmbytjes së Nënshkodrës flitet për hapjen e portave. Ne po e bëjmë me dije që i kemi kapacitetet dhe volumet pasi kemi punuar nga data 11 nëntor për të liruar volume. Kemi rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në liqenin e Komanit. Ndërkohë që të pesë agregatet e Vaut të Dejës janë në funksion dhe katër agregatet e Komanit janë në funksion. Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”, tha ministrja.
Ajo theksoi se në Koman dhe në Vaun e Dejës vijon puna me kapacitetet të plota. Ministrja Balluku bëri me dije se të premten pritet të ketë një tjetër agravim të motit.
“Vazhdojmë punën me kapacitete të plota si në Koman ashtu edhe në Vaun e Dejës. Siç thamë pra do të kemi edhe një prurje, por edhe agravim të motit. Do të ketë disi një përmirësim të motit gjatë ditës së enjte, por më pas do ketë një agravim tjetër të premten”, tha ajo.
