Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, në orën 14:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, në orën 11:00 do të zhvillohet një seancë tjetër për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së.
I mandatuari për formimin e qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka deklaruar se synon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë një ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Megjithatë, gjasat duken minimale që Lëvizja Vetëvendosje të arrijë të krijojë ekzekutivin në përpjekjen e dytë.
Më 26 tetor, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
LVV-ja fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar numrat e mjaftueshme në Kuvend për të formuar qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Nëse edhe nesër nuk arrihet shumica për formimin e Qeverisë, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kosovë/ Konjufca kërkon mbështetjen për formimin e Qeverisë, nesër seanca e jashtëzakonshme në Kuvend
