I gjithë territori i Qarkut të Kukësit vijon të jetë i përfshirë nga reshje të vazhdueshme shiu, me intensitet mesatar deri të lartë. Për shkak të motit të keq, disa prej akseve nacionale janë përballur me rënie gurësh dhe inertesh, duke vënë rrugët nën presion.
Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Kukësit, Dritan Karaj, bëri të ditur se subjektet kontraktore kanë ndërhyrë menjëherë në akset më problematike dhe po vijojnë punën për pastrimin e tyre. Sipas tij, rrugët Kukës–Bushtricë dhe Tropojë–Valbonë kanë pasur rënie gurësh, por aktualisht janë të lira dhe të qarkullueshme për automjetet.
Karaj konfirmoi se, në tërësi, të gjitha akset nacionale në qark janë të hapura dhe qarkullimi zhvillohet normalisht. Deri tani nuk është raportuar asnjë aksident rrugor, ndërsa patrullat e policisë janë në terren duke këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar në rrugë.
Edhe në nivel bashkish Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë raportuar situata emergjente deri në këto momente. Probleme me energjinë elektrike në disa zona. Furnizimi me energji elektrike është normal në pjesën më të madhe të qarkut, përveç disa zonave ku vijojnë ndërprerjet. Në Bashkinë Kukës pa energji mbeten: fshati Kolosjan, Njësia Administrative Grykë-Çajë, Shishtavec, fshatrat Mamëz dhe Turaj, si dhe Pistë, Gëdheshtë e Shëmri në Njësinë Administrative Malzi.Në Bashkinë Has ndërprerje raportohen në fshatin Zarisht (Nj.Adm. Fajza) dhe në fshatrat Kishaj, Pogaj e Gjinaj (Nj.Adm. Gjinaj). Në Bashkinë Tropojë pa energji vijojnë të jenë fshati Berishë (Nj.Adm. Bytyç), si dhe Njësitë Administrative Lekbibaj dhe Fierzë.
