Marsela SHYTIA
Duke miratuar ligjin special për prishjen e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, qeveria serbe ka hapur një front të ri të rezistencës politike dhe shoqërore. Ky projekt, i mbështetur nga investime të huaja dhe të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, është një hap që ka nxitur një reagim të fortë nga profesionistët, studentët dhe opozita. Pasi ligji kaloi në parlament, ky vendim ka tri arsye kryesore pse mund “t’i thyejë dhëmbët qeverisë serbe”. Së pariai ka shkaktuar dyshime për falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Po ashtu ka përfshirë interesa të jashtme që mund të interpretohen si përpjekje për të afruar regjimin serb me administratën amerikane si dhe ka nxitur një valë protestash dhe kundërshtish që mund ta bëjnë projektin të pamundur për t’u realizuar pa pasoja të rënda politike dhe shoqërore.
Falsifikimi i dokumenteve
Një aspekt kyç i projektit është falsifikimi i dokumenteve që mundësuan heqjen e mbrojtjes për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm. Goran Vasiç, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, ka pranuar në Prokurori se ka falsifikuar dokumente për të mundësuar heqjen e statusit të mbrojtur të këtij kompleksi. Ky veprim ka shkaktuar shqetësime të mëdha ligjore, pasi dokumentet që përdorën si bazë për ndryshimin e statusit të kompleksit janë vënë në dyshim nga arkitektët dhe ekspertët. Miljan Salata, një arkitekt i njohur, shprehet se kjo është një formë e legalizuar e grabitjes: “Ajo që po bëhet tani me lex specialis është grabitje e legalizuar. Në fakt, është retroaktive, legalizimi i diçkaje që ishte e paligjshme në fillim.” Ky veprim ka sjellë shqetësime edhe brenda qarqeve ligjore, duke e konsideruar si një abuzim të dukshëm me ligjin.
Qëllimi i vërtetë
Një tjetër shtysë për këtë projekt është dyshimi se regjimi i Aleksandër Vuçiç po përdor këtë mundësi për të forcuar lidhjet me administratën amerikane përmes investitorëve të lidhur me Donald Trump. Ky fakt ka ngritur pyetje për mundësinë e përdorimit të projektit për të siguruar mbështetje politike dhe financiare nga SHBA. Siç thotë avokati Jovan Rajiç, ky ligj i veçantë është një shembull i përpjekjes për të anashkaluar procedurat ligjore standarde, duke përdorur shumicën parlamentare për të miratuar një ligj që i shërben interesave të caktuara: “Ata kanë shumicën parlamentare dhe mund të zgjidhin çdo paligjshmëri dhe ngatërresën e tyre ligjore duke miratuar lex specialis, i cili vlen vetëm për një projekt specifik.” Ky zhvillim ka krijuar dyshime të forta se ligji është më shumë një mjet politik sesa një zgjidhje urbanistike.
Rezistenca e qytetarëve
Reagimi i fortë nga qytetarët, studentët dhe profesionistët ka bërë që ky projekt të shndërrohet në një minë politike. Studentët e Universitetit të Beogradit dhe organizatat profesionale, të tilla si Shoqata e Arkitektëve të Serbisë dhe Akademia e Shkencave të Inxhinierisë, kanë ngritur një rezistencë të fortë. Ata kanë organizuar protesta dhe kanë kërkuar që Shtabi i Përgjithshëm të ruhet si një aset kulturor dhe të mos kalojë në duar private. Siç thekson Nikola Jovanoviç, drejtor i Qendrës për Vetëqeverisje Lokale, ky rast është një pikë kthese për shoqërinë serbe: “Ky projekt është emblematik dhe do të thoja vendimtar, sepse të gjithë aktorët përkatës u shprehën kundër shndërrimit të tij në hotel.” Protestat, si ajo e studentëve me moton “Ne jemi një mur i gjallë,” kanë treguar se ky është një moment kritik për të gjithë shoqërinë, dhe se qeveria nuk mund të kalojë përpara me këtë projekt pa i marrë parasysh këto reagime të fuqishme.
Vuçiç “mund të dalë huq” me prishjen e Shtabit të Përgjithshëm, ja tre arsye pse projekti mund të dështojë
