Bedri Hamza zgjidhet kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka ndryshuar udhëheqjen e saj këtë të hënë gjatë Konventës së 12-të duke zgjedhur si kryetar të ri, Bedri Hamzën.
Në fillim të Konventës, Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen e tij nga pozita e Kryetarit të PDK-së, një detyrë që e mbajti për 4 vjet e 4 muaj.
Para delegatëve, Krasniqi e cilësoi detyrën e kryetarit si “nderin më të madh” të jetës së tij politike, duke theksuar se po largohet “me mirënjohje, me krenari, me paqe.”
Duke argumentuar vendimin, ai theksoi se PDK-ja ka nevojë për një “energji dhe momentum të ri” dhe për një udhëheqës që njëkohësisht do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
“Nuk po largohem prej lodhjes apo zhgënjimit. Po e bëj këtë nga përgjegjësia… sepse besoj që shtëpia jonë është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja,” tha Krasniqi, duke shtuar se e lë partinë “më të fortë se sa e kishte gjetur.”
Ai vlerësoi arritjet gjatë mandatit të tij, duke përmendur ringritjen e PDK-së me fitore në disa komuna kyçe dhe rikthimin në rolin e forcës kryesore opozitare.
Pas njoftimit të dorëheqjes, delegatët e partisë zgjodhën Bedri Hamzën, i cili tani pritet të udhëheqë PDK-në drejt sfidave të reja zgjedhore.
Në fjalimin para zgjedhjes së tij, Hamza tha se vota për kryetarin e ri nënkupton votë për qeverinë dhe kryeministrin e ardhshëm.
“Kosova meriton qeverisje të mirë, institucione të qëndrueshme, drejtësi të pavarur dhe investime në siguri. Këto janë detyrime për ne. Dhe sot, përveç një kandidature, ju votoni për një vizion qeverisës. Sot votoni më shumë sesa për një kryetar — votoni për një qeveri të punës. Sot votoni për një ekonomi që zhvillon prodhimin vendor, rrit pagat, pensionet dhe krijon partneritet të plotë me bizneset….Po lind kapitulli i ri i PDK-së, i bashkimit, i hapjes dhe i unitetit të brendshëm. PDK është gati, Kosova është gati dhe kemi besimin e njerëzve”, tha ai.
Ai kërkoi unifikim dhe bashkim të secilit anëtarë të PDK-së.
“Kemi pasur mendime të ndryshme dhe momente që na kanë larguar, dhe kjo është normale në një parti politike. Është e rëndësishme që sot jemi këtu me vullnet për të dëgjuar dhe për t’u bashkuar. Forca jonë është aftësia për t’i kthyer çdo dallim në përbashkësi. Bashkimi nuk kërkon të mendojmë njësoj, por të punojmë me njëri-tjetrin, me përgjegjësi, për të ecur përpara. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për njëri-tjetrin që të mos humbim askund nga rruga jonë. Ata që kanë dhënë shumë për partinë Hashim Thaçi, Kadri Veseli presin prej nesh të jemi të bashkuar dhe të ecim përpara si ekip”, tha ai.