Ish-komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, ka filluar dëshminë e tij në Hagë si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai u ndal te momenti kur u raportua për vrasjen e familjes Jashari, ngjarje që, sipas tij, paralajmëroi përshkallëzim të konfliktit.
Clark tregoi se ndodhej në Maqedoninë e Veriut, në ditët e para të marsit, për të inspektuar një Task-Forcë amerikane në kufi, kur mori një telefonatë urgjente nga ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill. “Menjëherë më merr në telefon ambasadori Chris Hill dhe më thotë se duhej të flisja me presidentin e Maqedonisë së Veriut”, tha Clark.
Ai shtoi se presidenti maqedonas i asaj kohe, Kiro Gligorov, e paralajmëroi për pasojat e rënda që do të sillte lajmi i masakrës. “Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja Jasharajve, por presidenti Gligorov më tha se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj, kjo vrasje do të nxisë një konflikt”, deklaroi Clark.
Clark theksoi se, sipas Gligorovit, reagimi i shqiptarëve do të ishte i pashmangshëm.
“Më tha se shqiptarët do të kundërpërgjigjen, shqiptarët nuk ta pranojnë këtë që ndodhi, shqiptarët do t’i rezistojnë kësaj vrasjeje”.
Wesley Clark tregon si lindi plani për ndërhyrje, pas masakrave serbe
Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij sot më 17 nëntor, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku përshkroi përshkallëzimin e situatës në Kosovë gjatë viteve ’98–’99. Ai tha se sulmet serbe ndaj popullsisë civile po shtoheshin me shpejtësi, duke ngritur alarmin në nivelet më të larta të diplomacisë amerikane.
Clark tregoi se, në atë kohë, NATO nuk kishte ende mandat për veprim. “Unë mendova se e dija se çfarë duhej bërë në këto kushte, por sipas procedurave të NATO-s, nuk kishim asnjë autoritet, nuk kishte plane konkrete,” deklaroi ai. Clark shtoi se çështjen e kishte diskutuar vetëm me sekretarin amerikan të shtetit. “Më udhëzuan Shtetet e Bashkuara të mos flisja me askënd tjetër”, theksoi Clark.
Ai kujtoi gjithashtu se në pranverën e vitit 1998 i ishte kërkuar të hartonte një strategji paraprake për situatën që po përkeqësohej.
“Aty lindi nevoja që të përgatitet një plan,” u shpreh Clark, duke nënvizuar se askush nuk e kishte sqaruar nëse ministritë e jashtme apo ato të mbrojtjes ishin përfshirë në këtë proces.
Clark në Hagë: Pas vrasjes së familjes Jashari, më thanë se shqiptarët do përgjigjeshin
